Antonios Doukas, trajner i Shqipërisë

Basketboll | 3 vite më parë

Antonios Doukas është trajneri i ri i Shqipërisë në basketboll për meshkuj, teksa prezantimi i tij është bërë në një konferencë për shtyp organizuar nga Federata Shqiptare e Basketbollit në ambientet e Pallatit të Sportit “Dhimitraq Goga”, Xhafzotaj. Doukas rikthehet pas pesë vitesh në krye të kombëtares kuqezi, ndërsa zë vendin e Afrim Bilalit, i cili dy ditë më parë dha dorëheqjen nga drejtimi i ekipit. Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, ka shpjeguar për Radio Televizionin Shqiptar se kanë qenë përpara të papriturës në dorëheqjen e Bilalit, teksa ky i fundit preferoi një tjetër detyrë përpara kombëtares së basketbollit.

“Absolutisht e papritur. I angazhuar natyrisht si organizues dhe koordinator I Komiteti Olimpik për basketbollin, pra është përsëri pjesë e këtij sporti. Por mesa duket Komiteti Olimpik ka të ardhur shumë më të mëdhaja preferoi që të qëndronte atje dhe të mos merrte përgjegjësinë e kombëtares. Ai ka patur një përgjegjësi mjaftë të madhe dhe ka dhënë një kontribut të madh, por rezultatet nuk kanë qenë atje ku duhet. Në 14 ndeshje të zhvilluara, e thash dhe pak më parë, ka fituar vetëm dy”, thotë numri një i basketbollit shqiptar.

Por megjithatë ish-trajneri i basketbollit të meshkujve, Afrim Bilali, ka thënë në një postim në facebook se u larguar për mospërmbushje të kërkesave të dakortësuara më parë. Cilat ishin këto kërkesa të parealizuara ndaj Bilalit?

“Luksi është gjithmonë i madh. Kushtet janë gjithmonë të rëndësishme Secili nga ne do të kërkojë kushte sa më të mira dhe nivele sa më të larta. Edhe unë do të doja që ekipi i Shqipërisë U-20, të cilin e kemi këtu, të kishte një pagë nga 1000 euro në muaj. Të kishte trajneri rrogë të lartë dhe të kishte të gjitha mundësitë. Federata Shqiptare e Basketbollit grantin e kam rreth 100 mijë euro, që nuk mjafton as për pagesat e gjyqtarëve të këtyre ndeshjeve e jo më të krijojë mundësi më të mëdha. Vlera e trajnerit Doukas në këto momente e 1/5 e asaj që kërkonte Bilali”, shpjegon Ponari.

E ndërkohë më pas i pari i basketbollit shqiptar është ndalur dhe tek ardhja e Antonios Doukas, ndërsa tregon se çfarë e bindi realisht për të rithirrur dhe një herë tjetër trajnerin grek në krye të kuqezinjve.

“Marrëdhënia e tij e mirë me lojtarët. Njohja që kishte me lojtarët dhe natyrisht dhe dëshira e tij që kishte, sepse ky më parë ka drejtuar dhe Tiranën, ndërsa kishte dhe një njohje më të mirë me lojtarët e tjerë. Dhe menduam që, pavarësisht se kishim disa kandidatura, Doukas është më pranë mentalitetit dhe më afër njohjes së ekipeve tona”, thekson Ponari.  

Doukas ka qenë trajneri i Shqipërisë deri më 2018-ën. Po kështu dhe i Tiranës, sikurse ka drejtuar në shtete të ndryshme të botës. Ai është i kënaqur që është rivendosur në krye të kombëtares shqiptare, kurse përgatitjet do të nisin më 10 korrik.

 “Së pari falënderoj presidentin dhe Federatën Shqiptare të Basketbollit për besimin që më dhanë. Sigurisht që është një kënaqësi e madhe rikthimi në drejtimin e kombëtares shqiptare. Por njëkohësisht edhe përgjegjësi e madhe për të rikthyer kombëtaren në rezultatet e duhura. Shpresoj që të kemi lojtarët më të mirë të momentit, sepse e di që është kohë pushimesh dhe stërvitjet janë të ndërprera. Duhet të pranojmë që janë ndeshje të vështira me kundërshtarë të fortë. Besoj që ndeshje pas ndeshjesh kombëtarja të rritet dhe në bashkëpunim me të gjithë të bëjmë më të mirën”, ka thënë fillimisht Doukas.

Rumania dhe Sllovakia në fokusin e trajnerit Doukas dhe çfarë mund të arrijë Shqipëria me to.

“Rumania e Sllovakia janë kundërshtarë të vështirë. Por unë premtoj që të paktën të jemi dinjitoz në fushën e lojës e më pas t’ia dalim për të bërë më të mirën në rezultate”, nënvizon Doukas.

Ndërkohë që nga kjo e shtunë nis dhe përfaqësimi i Shqipërisë në kampionatet europiane të moshave. Kështu nga 7-16 Korrik në Shkup, Shqipëria e moshës 20 vjeç për djem do të jetë përballë Letonisë, Finlandës, Holandës dhe Zvicrës. Më pas kombëtarja e moshës 16 vjeç për vajza më 18-23 korrik në Andorra La Vela do të jetë në Divizionin C. Vijon konkurrimin Kombëtarja e moshës deri në 16 vjeç për djem Divizioni C më 19-27 korrik në Prishtinë. E parafundit për nga konkurrimi është Shqipëria e moshës deri në 18 vjeç për djem, që në Matosinhos të Portugalisë, më 21-30 korrik do të jetë në Divizionin B. Dhe gjithçka e mbyll kombëtarja e moshës deri në 18 vjeç për vajza, që më 1-6 gusht në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga” të Xhafzotajt do të mirëpres Divizionin C. Eni Llazani, Eliverta Bujari, Vladimir Xheka, Mikel Serbo dhe Elona Hasanaj kanë marrë përsipër këto kombëtare, që së bashku me të rriturit bëjnë një verë me aktivitete në sportin e koshit. Më së shumti ndërkombëtare…


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme