Aplikimi për panelet diellore, në nëntor-dhjetor përfituan 2000 persona! Qytetari nga Korça: Kam reduktuar faturën e energjisë

Për të kursyer sa më shumë energji elektrike dhe për të reduktuar faturën, konsumatorëve shqiptarë iu ofrua instalimi i paneleve diellore për ngrohjen e ujit me financim 70% nga buxheti i shtetit.
Ky plan i Ministrisë së Energjisë rezultoi me interes pasi aplikimet në fazën e parë ishin të konsiderueshme, ku interes të lartë për instalimin e tyre shfaqën edhe qytetarët nga Korça.
Njëri prej përfituesve, Ridvan Beko na shpjegon se pas aplikimit të kryer në e-Albania dhe plotësimit të kritereve të kërkuara, u shpall fitues dhe tashmë e ka në përdorim një panel diellor për ngrohjen e ujit.
Përdorimi i paneleve të tilla referuar banorëve që i përdorin prej vitesh, u ka reduktuar ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike. Disa prej tyre thonë se kanë përgjysmim të faturës së energjisë ndërsa e vlerësojnë këtë nismë të Qeverisë si pozitive, pasi instalimi i një paneli ka kosto të konsiderueshme.
Sipas të dhënave, ngrohja e ujit zë rreth 20 % të konsumit të energjisë së një familje në një muaj. Në thirrjen e parë të Ministrisë së Energjisë në muajt nëntor-dhjetor përfituan 2 mijë qytetarë ndërsa pritet që këtë vit të çelet një thirrje e dytë për aplikime.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




