“Apliko pagesën elektronike” forum i grupimit studentor ABC Tirana Club

Grupimi studentor ABC Tirana Club ka zhvilluar ditën e enjte, 17 qershor 2021 në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, Forumin e Diskutimit “Apliko pagesën elektronike”.
Ky është edicioni i tretë i programit studentor “Edukimi ekonomik dhe financiar i publikut”, të cilin ABC Tirana Club e realizon për të tretin vit rradhazi në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë.
Të ftuar veç studentëve dhe pedagogëve ishin dhe ekspertë të fushës, nga institucionet publike, media etj.
Sipas aktivistëve të ABC Tirana Club “Apliko pagesën elektronike” ka filluar prej 15 prillit 2021 dhe po vijon me qëllim:
-nxitjen e publikut që të informohet dhe ndërgjegjësohet për nevojën e aplikimit të pagesave elektronike;
-prezantimin e efekteve pozitive dhe ndikimin në jetën e tyre të përditshme, por dhe impaktin në zhvillimin ekonomik, financiar të vendit etj;
-nxitjen e ekspertëve të fushës të jenë aktivë për gjenerimin e diskutimit dhe qarkullimit të ideve dhe pikëpamjeve mbi temën.
Johan Muka, drejtues i ABC Tirana Club u shpreh se projekti synon “nxitjen e institucioneve dhe agjencive publike e private, Ministrinë e Financës dhe Ekonomisë, Bankën Qendrore, Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare, bankat e nivelit të dytë, Shoqatën Shqiptare të Bankave, qarqet universitare dhe akademike, shoqatat e konsumatorëve etj., që të intensifikojnë fushatat e informimit dhe edukimit në këto aspekte etj”.
Gjatë Forumit u prezantuan dhe gjetjet e një sondazhi që ka zhvilluar së fundmi ABC Tirana Club, me 350 konsumatorë në kryeqytet.
Pyetjes se “a e përdorni aplikacionin virtual të bankës”, 35% ju përgjigjën pozitivisht, kurse 65% deklaruan “jo”.
Prej atyre që e përdorin aplikacionin e bankës, 42% pohuan se veprimin kryesor e bënin më shumë “për të kontrolluar në çdo kohë gjendjen e llogarisë”, kurse rreth 58% pranuan se e përdornin “për të kontrolluar në çdo kohë gjendjen e llogarisë dhe për të realizuar transferta”.
Ata që nuk e përdorin aplikacionin virtual të bankës ishin të ndarë në: rreth 48% “nuk kam njohuri”; 21 % “nuk e vlerësoj të nevojshme”; rreth 16% “nuk kam siguri nga sistemi”; rreth 2% kishin si shkak “një eksperiencë negative” dhe pjesa tjetër nuk dha përgjigje.
Lidhur me njohuritë e klientëve mbi pagesat elektronike, të pyeturit në sondazh pohuan se rreth 22% i kanë përfituar më shumë nga “komunikimi me personelin e bankave”; po kaq ishte dhe alternativa tjetër “nga informacionet në media”. Megjithatë pjesa më e madhe u shprehën se “nuk kam fare njohuri” (rreth 45%).
Aktivistët e ABC Tirana Club janë shprehur se do të vijojnë fushatën e informimit dhe ndërgjegjësimit të publikut mbi përdorimin në shkallë të gjerë të pagesave dhe transfertave elektronike.
Ata kanë zhvilluar edicionin e parë të programit të tyre, titulluar “Shit dhe bli vetëm në monedhën kombëtare, Lek!” në vitin 2019.
Kurse në vitin 2020 zhvilluan edicionin e dytë titulluar “DeCashizimi kundër informalitetit”.
Tri edicionet e programit studentor “Edukimi ekonomik dhe financiar i publikut” janë mbështetur nga Raiffesisen Invest.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




