Arrestimi i ish-zyrtarit të FBI, Alibeaj: Takimi i Ramës me McGonigal kërkon hetim të thelluar, nevojitet transparencë e plotë

Politikë | 4 vite më parë

Kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj ka reaguar për arrestimin e ish-zyrtarit të lartë të FBI, Charles McGonigal për përfshirje në transaksione të paligjshme financiare me një oligark rus. Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Alibeaj risjell në kujtesë takimin e zhvilluar mes kryeministrit Edi Rama me ish-zyrtarin e FBI në vitin 2017 duke kërkuar transparencë të plotë dhe hetim të thelluar, duke e lidhur me transaksionet e paligjshme financiare të kryera nga McGonigal me oligarkët rusë. Zbardhja e kësaj çështje sipas Alibeajt, është mjaft e rëndësishme për marrëdhëniet Shqipëri-SHBA.

“Akuzat e  Departamentit Amerikan të Drejtësisë ndaj ish zyrtarit të lartë të FBI McGonigal për përfshirjen në transaksione të paligjshme financiare me një oligark rus ku bën pjesë udhëtimi i tij në Shqipëri dhe takimi me Edi Ramën në vitin 2017 kërkojnë urgjentisht transparencë dhe hetim të thelluar. Retorika boshe për konsumin e politikës së ditës nuk e zbardh këtë çështje tepër të rëndësishme për marrdhënien e Shqipërisë me SHBA. Zbardhja sa më parë dhe transparenca e plotë është ajo që ndihmon jo vetëm për informimin e saktë të publikut por dhe për ruajtjen e marrdhënies së shëndetshme me partnerin tonë strategjik”, shkruan Alibeaj. Kujtojmë se Kryeministri Rama, në shtator të 2022-shit, në një komunikim online me gazetarët, deklaroi se McGonigal është miku i tij.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme