Arrestimi i ish-zyrtarit të FBI, Rama: Gjithçka është e hetuar në SHBA, konkluzioni s’ka asnjë lidhje me mua apo qeverinë shqiptare

Arrestimi i ish-zyrtarit të lartë të FBI prej ditësh është kthyer në kryefjalën e politikës në vend, teksa kryeministri Edi Rama i është përgjigjur edhe njëherë akuzave të opozitës se ka korruptuar Charles McGonigal për t’i dëmtuar ata në lidhje me çështjen e financimit rus.
Në reagimin e tij, Rama thekson se çështja është hetuar nga SHBA dhe se rezultati i këtij hetimi nuk ka lidhje as me atë vetë, e po ashtu as edhe me qeverinë shqiptare. Në lidhje me çështjen e financimit rus, Rama thotë me bindje se PD ka marrë para prej tyre dhe se, sipas tij, kjo është e provuar botërisht.
“Ky mal i madh mbarsur me fantazi dhe ligësi, do të pjellë edhe më pak se një mi. Fatmirësisht gjithçka është e hetuar në SHBA dhe konkluzioni i hetimit s’ka asnjë lidhje me mua a me qeverinë shqiptare. Paratë e marra prej rusëve nga PD nuk janë shpikje, po fakt po ashtu i hetuar dhe i provuar botërisht. Deri dje thoshin Edi Rama dhe Sorosi, sot thonë Edi Rama dhe zyrtari i lartë i FBI, por si njëra si tjetra bien përtokë përballë fakteve të hetuara”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë shton më tej se McGonigal nuk akuzohet për gjërat për të cilat diskuton politika në Shqipëri, por vetëm për konflikt interesi në marrjen e borxhit nga një shqiptaro-amerikan dhe mosdeklarimin e këtij borxhi. Sipas Ramës, opozita hedh akuza nga “dëshpërimi”, teksa përmend çështjen e Gërdecit, 21 janarit dhe financimin rus në PD si “barra të mëdha” mbi kurrizin e tyre.
“Në këtë çështje zyrtari i lartë i FBI nuk akuzohet fare për asgjë nga këto që fliten me ulërima në Shqipëri, po vetëm për konflikt interesi në marrjen e borxhit nga miku i vet shqiptaro-amerikan dhe mosdeklarim të tij. Edhe më qesharake janë akuzat për përfshirjen e oligarkut rus në biznes në Shqipëri, si pjesë e këtij konspiracioni agjenturor të tipit kinematografik “Fije që priten”. Kompania Strabag është flamuri më i madh i ekonomisë austriake, e cila ashtu si edhe kompania Trema operojnë në Shqipëri prej dekadash. Të lidhësh një aksioner rus të këtyre kompanive (i cili së fundmi është përjashtuar prej tyre si një individ nën sanksionet e luftës) me këtë përrallë që edhe pa të është krejt groteske, do të thotë të jesh në dëshpërim total. Dihet që njerëz të dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara dhe kjo histori është pasqyrë besnike e dëshpërimit të opozitës sonë, e cila përveçse s’ka kokë ka mbi kurriz çështje madhore si Gërdeci, 21 janari apo edhe lidhjet ruse qysh në kohën kur bashkoi votën me partinë e Putinit në Këshillin e Europës kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të gjitha këto janë fakte që kërkojnë drejtësi, jo teori konspiracioni dhe s’ka teori konspiracioni që i varros dot në harresë”, shprehet kryeministri.
Ish-zytari i FBI, Charles McGonigal u arrestua për korrupsion në Nju Jork, i akuzuar se i ka marrë para nga një ish-zyrtar i inteligjencës shqiptare dhe nga një oligark rus. McGonigal akuzohet gjithashtu se ka fshehur nga FBI detajet kryesore të një udhëtimi në Shqipëri në vitin 2017 me ish-zyrtarin e inteligjencës shqiptare, i cili dyshohet se i ka dhënë të paktën 225 mijë dollarë. Opozita ka hedhur një sërë akuzash në drejtim të kryeminisrtit, ku kreu i PD-së, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha dhe kreu i PL-së, Ilir Meta kanë kërkuar dorëhqejen e Ramës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



