Arrestimi i Kajmakut, Balla: Ligji mund të godasë këdo! Më 15 qershor mblidhet Komisioni për Reformën territoriale

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla në një deklaratë për media ka komentuar arrestimin e ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku në Itali të kapur në Itali me 20 kilogramë drogë. Balla ka përshëndetur punën e bërë nga drejtësia italiane ndërsa theksoi se ligji duhet të godasë këdo që kryen shkelje. Sipas Ballës, Kajmaku është i zhveshur nga funksionet politike dhe për këtë arsye është humbje kohe që PS të komentojë këtë çështje. Ky ishte reagimi i parë nga socialistët pas arrestimit të ish-kryebashkiakut.

“Ky është një qëndrim i yni që nuk bën dallim për askënd. Ligji duhet të godasë mbi këdo. Personi që flasim nuk është më prej vitesh në asnjë funksion. Është humbje kohe të kthehemi te kjo çështje”, tha Balla.

Ndër të tjera, kreu i grupit parlamentar socialist bëri me dije se më 15 qershor do të zhvillohet mbledhja e parë e Komisionit për Reformën Territoriale. Balla njoftoi se Komisioni duhet të shohë të gjitha mundësitë për një bashkëpunim rajonal mes bashkive, teksa theksoi se qarqet në modelin aktual e kanë humbur peshën e tyre dhe për këtë siç thotë ai, duhet gjetur mënyra për një organizim më të mirë.

“Është dakordësuar mbajtja nesër e mbledhjes së Komisionit të Reformës Territoriale ku grupi i punës do të hartojë një projekt. Është e rëndësishme që ky komision të bëjë një hulumtim të punës së deritanishme. Zhvillimi rajonal duhet të jetë sfida jonë e përbashkët. Komisioni të shohë të gjitha mundësitë për të parë edhe një bashkëpunim rajonal mes bashkive. Në kuadër të procesit të integrimit europian, organet e qeverisjes vendore duhet ta përqasin rolin e tyre në nivel rajonal. Besoj që këto 7 vite, kanë konfirmuar një përmirësim të shërbimeve publike në dobi të qytetarëve. A ka vend për përmirësi? Besoj që kryeministri ka qenë i qartë në kërkesën dhe llogaridhënien e kryetarëve të bashkive dhe i bashkohem apelit për përmirësim. Por e vërteta është se ku ishim dhe ku jemi diferenca është shumë e madhe. Deputetët duhet ta shohin si një detyrë ndaj qytetarëve dhe jo partiake. Vlerësimi im është që qarqet në modelin aktual kanë humbur peshën e tyre dhe dhe të gjejmë një mënyrë për të shkuar me një organizim më të mirë”, tha Balla.

Sakaq, Balla tha se mes 15 prillit dhe 15 majit të 2023 do mbahen zgjedhjet e ardhshme lokale. “Duhet një punë konkrete për të parë forma të reja të organizimit, ka një rekomandim që gjithmonë çështjet që lidhen me reformat duhet miratuar një vit përpara për të pasur kohë dhe besoj që në rastin e reformës territoriale Komisioni të marrë kohën e duhur. Besoj do të jetë e nevojshme një zgjatje e mandateve dhe duhet të biem dakord në kohë që kjo zgjatje të bëhet. Konsiderimi apo anulimi i pikës dy të nenit që ka të bëjë me ndarjen e mandatit e ka bërë të pazbatueshëm të gjithë nenin  e ndarjes së mandateve. Për zgjedhje të tjera të qeverisjes vendore çdo gjë është gati. Nëse i përllogarisim afatet, besoj që mes 15-prillit dhe 15 majit të vitit të ardhshme duhet mbajtur zgjedhjet e ardhshme”, tha Balla.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme