Arrestimi i Kokës, Rama: Përgjegjësia individuale, impiantet histori suksesi!

Politikë | 5 vite më parë
 

Kryeministri Edi Rama i pyetur të premten mbi arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka deklaroi se përgjegjësitë para drejtësisë janë individuale dhe se kushdo që shkel “në dërrasë të kalbur” duhet të përballet me ligjin.

“Çështjet me drejtësinë janë individuale dhe për sa kohë ballafaqimi me drejtësinë vazhdon, ai që thirret në ballafaqim, nuk ka punë në Partinë Socialiste. Në momentin kur drejtësia i kërkon hesap dikujt ndër ne, ai duhet të marrë avokat dhe të përballet me drejtësinë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste në një nga studiot televizive në vend.

Kryeministri i ka cilësuar projektet për impiantet e përpunimit të mbetjeve një histori suksesi.

“Ajo që vlen është që sjellja e gabuar, korruptive, kriminale, apo sjellja që provohet nga drejtësia se është në rregull e një individi, nuk ka lidhje me faktin se projekti për ndërtimin e këtyre impianteve modernë të përpunimit ka shpëtuar Elbasanin, Tiranën dhe i ka hapur rrugën e shpëtimit edhe Fierit”.

Rama tha se të gjitha këto investime janë asete.

“Elbasani sot që flasim është aset publik. Ai investim është bërë. Janë paguar ato këste që duheshin paguar dhe sot është pronë e bashkisë së Elbasanit. Ai është sukses i qeverisë, sepse sot Elbasani, Tirana dhe Fieri nuk kanë më ankthin se nesër do të digjen plehrat”, tha Rama.

Lidhur me impiantin e përpunimin të plehrave të Tiranës, Kryeministri Rama shpjegoi se qeveria i jep vetëm një mbështetje pjesore bashkisë dhe se është bashkia ajo që shlyen investimin.

“Investimi atje është prezent dhe plehrat nuk shkojnë më nëpër lumenj”, u shpreh më tej Rama.

Rama informoi se me mbarimin e testeve nis puna edhe në impiantin e Fierit.

“Ky program është histori suksesi”, deklaroi Kryeministri.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme