Arrestimi i Metës- Berisha: Persekutim politik, Rama është përpjekur edhe për eliminimin e tij fizik

Persekutim politik e ka konsideruar kreu i PD-së, Sali Berisha arrestimin e aleatit të tij, Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Në një deklaratë për mediat, teksa po komentonte arrestimin e ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja, Berisha tha se nuk ka prova që justifikojnë arrestimin e Metës, por “është zbatur urdhri politik i Ramës”.
Ai hodhi akuza të rënda në drejtim të kryeministrit, teksa pretendoi se Rama është përpjekur ta eliminojë Metën fizikisht.
“Çdo gjë ndaj tij është politike. Persekutimi politik i Ilir Metës është politik, politik dhe vetëm politik. Nuk kanë publikuar asnjë fakt, asnjë dokument, por kanë zbatuar urdhrat e Edi Ramës, i cili është përpjekur me të gjitha mënyrat për eliminimin politik, e ndoshta edhe fizik të Ilir Metës. Edi Rama është, siç denoncova edhe në herët e kaluara, i implikuar në zhdukje të personave në mënyrë ekstraligjore, antikushtetuese. Iu kam informuar unë këtu ju, se Dumani fle mbi një dosje në të cilën bisedohet për eliminimin e një politikani të afërt me Edi Ramën. E kuptoni se a do mund të guxonin bandat shtetërore të eliminonin një politikan të afërt me Edi Ramën, pa porosinë e Edi Ramës? Pra, Edi Rama është një me krimin”, tha Berisha.
Ilir Meta u arrestua këtë të hënë (21 tetor) me urdhër të SPAK, teksa nuk dihet ende akuza që rëndon mbi të.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




