Arrestohet ish-kryeministrja skoceze, akuzohet për financime të dyshimta

Ish-kryeministrja skoceze, Nicola Sturgeon, është arrestuar në lidhje me hetimin për financimin e Partisë Kombëtare Skoceze, të cilën ajo e drejtoi nga viti 2014 deri në vitin 2023.
Më pesë prill, oficerët kontrolluan shtëpinë e Sturgeon dhe selinë e partisë në Edinburg. Burri i saj, Peter Murrell, ish-shefi ekzekutiv i SNP-së, u arrestua në shtëpinë e tyre në Uddingston. Ai u intervistua për gati 12 orë përpara se të lirohej pa akuzë.
“Nicola Sturgeon sot, të dielën 11 qershor, me marrëveshje me Policinë e Skocisë, ka marrë pjesë në një intervistë ku ajo do të arrestohej dhe merrej në pyetje në lidhje me Operacionin Branchform”, tha zëdhënësi i Sturgeonit, shkruan The Guardian.
Colin Beattie MSP, atëherë arkëtari i partisë, u arrestua dhe u mor në pyetje si pjesë e të njëjtit hetim më 18 prill dhe gjithashtu u lirua më vonë pa akuza, në pritje të hetimeve të mëtejshme.
Në një deklaratë të lëshuar të dielën, Policia e Skocisë tha se “një grua 52-vjeçare është arrestuar sot, e diel 11 qershor 2023, si e dyshuar në lidhje me hetimin në vazhdim për financimin dhe financat e Kombëtares Skoceze”.
“Gruaja është në paraburgim dhe po merret në pyetje nga detektivët e policisë skoceze. Një raport do t’i dërgohet Zyrës së Kurorës dhe Shërbimit Fiskal të Prokurorit. Meqë hetimi është duke vazhduar, ne nuk mund të komentojmë më tej”, tha zëdhënësi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




