Arrestohet në Rumani me qëllim ekstradimin Aurel Hoxhallari, i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasjen e Devi Kasmit

Autoritetet rumune kanë arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë shtetasin Aurel Hoxhallari, 49 vjeç, lindur në Tiranë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Hoxhallari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për disa vepra të rënda penale.
Sipas autoriteteve shqiptare, ndaj tij rëndojnë akuzat për “Vrasje me paramendim”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Hoxhallari dyshohet se ka qenë organizatori i vrasjes së Devi Kasmit, ngjarje e ndodhur më 29 janar 2018, në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë.
Sipas hetimeve, Hoxhallari, në bashkëpunim me një shtetas grek dhe persona të tjerë, të organizuar në formën e një grupi të strukturuar kriminal, dyshohet se organizoi ekzekutimin e Kasmit.
Ekzekutori i dyshuar i vrasjes ishte shtetasi grek Efthymiou Efthymious, i cili qëlloi me armë zjarri ndaj Devi Kasmit.
Në kuadër të hetimeve për ngjarjen, në banesat e personave të dyshuar Policia sekuestroi 9 armë zjarri, rreth 130 kilogramë kanabis, si dhe një numër të konsiderueshëm bimësh narkotike.
Në vitin 2023, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e dënoi Aurel Hoxhallarin me burgim të përjetshëm, duke e konsideruar organizator të vrasjes së Devi Kasmit.
Pas arrestimit në Rumani, Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët rumunë dhe spanjollë, vijon procedurat për ekstradimin e Hoxhallarit drejt Shqipërisë, në mënyrë që ai të përballet me vendimin e drejtësisë shqiptare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




