Arsimi i lartë, miratohet memorandumi i bashkëpunimit me Spanjën

Sociale | 5 vite më parë

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi informoi  mbi dy vendime të rëndësishme të miratuara sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në fushën e arsimit. Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Kushi informoi se vendimi i parë lidhet me disa ndryshime në vendimin e vitit të kaluar të Këshillit të Ministrave që lidhet me mbështetjen financiare nga Fondi i Ekselencës për studentët ekselentë dhe për punonjësit civil. “Këto ndryshime erdhën të nevojshme për shkak të problematikave që kishin hasur studentët tanë ekselnetë që studiojnë në universitetet e huaja. Konkretisht për shkak të situatës së pandemisë dhe kufizimeve që imponoi kjo situatë në shumë universitete u aplikuan disa metoda vlerësimi ndryshe nga ato tradicionalet. Studentët merrnin vlerësim “kalon ose jo” dhe jo me notë. Ndërkohë, VKM ekzistuese për t’i kualifikuar ata si studentë ekselentë përfitues të fondit përcakton një mesatare të caktuar”, tha Kushi. Ndaj, ministrja informoi se “për të mos i penalizuar ata, vendosëm që në vendimin ekzistues të shtojmë edhe këto raste, ku në situata të jashtëzakonshme të përfitojnë nga bursa e ekselencës”.

Kushi siguroi se studentët ekselentë do të kenë mbështetjen tonë jo vetëm për studimet, por edhe më pas, për punësimin e tyre në administratën publike dhe institucionet e tjera.

Ndërkohë, ajo theksoi se në mbledhjen e sotme u miratua edhe memorandumi i  mirëkuptimit në fushën e arsimit të lartë mes Shqipërisë dhe Spanjës. “Në fushën e arsimit të lartë, objektivi ynë kryesor është që të bashkëpunojmë ngushtësisht me universitetet më prestigjioze evropiane dhe botërore. Në këtë kuadër, përmes kësaj marrëveshje ne synojmë të nxisim një bashkëpunim më të ngushtë të universiteteve shqiptare me universitetet më të mira të Spanjës, sa i takon kërkimit shkencor, projekteve të përbashkëta, shkëmbimit të pedagogëve e studentëve e me radhë”, tha Kushi.

Ndërkohë, Kushi iu përgjigj edhe pyetjes së gazetarëve mbi zhvillimin e mësimit me turne në disa shkolla, ndërsa u shpreh se “ky nuk është vendim definitiv për gjithë vitin shkollor por është vendim që rishikohet, në varësi të situatës së pandemisë, nga Komiteti Teknik i Ekspertëve”. 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme