Artemis II nis misionin hënor, anija hapësinore e NASA-s me sukses drejt satelitit natyror të tokës

Amerikë | 6 muaj më parë

Katër astronautë u nisën të mërkurën me një anije hapësinore të NASAS në një udhëtim drejt hënës, i pari udhëtim i më shumë se 50 viteve të fundit drejt satelitit natyror të tokës.

“Po shkojmë për të gjithë njerëzimin”, u shpreh astronauti Reid Wiseman, pas nisjes së anijes, e cila do të qëndrojë fillimisht për 24 orë në orbitën e tokës, ku do t’i nënshtrohet kontrolleve me qëllim garantimin e sigurisë, para se të marrë dritën jeshile për udhëtimin hapësinor.

“Ekuipazhi i misionit Artemis 2 që përbëhet nga tre amerikanët Reid Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch si dhe kanadezi Jeremy Hansen është i sigurt”, u shpreh një zyrtar i Agjencisë Hapësinore Amerikane, duke shtuar se gjatë misionit të tyre dhjetë ditor astronautët nuk do të uleshin në hënë por do vijnë rrotull satelitit.

Artemis 2 shënon një sërë arritjesh historike, pasi do të dërgojë të parin person me ngjyrë, të parën grua dhe të parin shtetas jo amerikan në një mision hënor, i cili synim ka hapjen e rrugës për një tjetër mision ku do të zbarkohet në hënë në 2028-ën.

Ky është fluturimi i parë i raketës së re hënore të NASAS që është pagëzuar me emrin sistemi i lëshimit hapësinor, që është projektuar për të kthyer SHBA-në në hënë me synim vendosjen atje të një baze të përhershme që do të ofrojë një platformë për eksplorim të mëtejshëm.   

Ndërsa nisja e misionit Artemis 2 u prit me brohorima nga publiku në SHBA, presidenti amerikan Donald Trump vlerësoi astronautët dhe nisjen e misionit e cilësoi diçka për t’u mbajtur mend në fjalimin televiziv që po mbante për luftën kundër Iranit. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme