Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton rezolutën: Rusia të dëmshpërblejë Ukrainën për dëmet e luftës

Botë | 4 vite më parë

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi sot një rezolutë, nëpërmjet së cilës kërkohet që Rusia, duke pushtuar Ukrainën, të shpallet përgjegjëse për shkeljen e ligjit ndërkombëtar dhe për pasojë të paguajë edhe dëmshpërblimet për dëmet e luftës.

Gjatë votimit në OKB, ku bëjnë pjesë 193 shtete anëtare, 94 votuan pro, 14 kundër, ndërsa 73 shtete abstenuan.  

Kjo rezolutë pati një nivel më të ulët mbështetje, krahasuar me 5 rezolutat e tjera për Ukrainën, të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, që nga nisja e pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt 2022.

Rezoluta pasyron nevojën për të krijuar “një mekanizëm ndërkombëtar për kompensimin e dëmeve”, që rrjedhin nga “veprimet e gabuara” të Rusisë kundër Ukrainës.

Rezoluta rekomandon që vendet anëtare të Asamblesë, në bashkëpunim me Ukrainën, të krijojnë “një regjistër ndërkombëtar” për të dokumentuar pretendimet dhe informacionet mbi dëmet, humbjet ose dëmtimet e ukrainasve dhe qeverisë, të shkaktuar nga Rusia.

E drejta e vetos së Rusisë në Këshillin e Sigurimit prej 15 anëtarësh ka bllokuar organin më të fuqishëm të OKB-së, që të ndërmarrë veprime, që kur Presidenti Vladimir Putin urdhëroi pushtimin. Por vetoja nuk vlen gjatë votimeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Ndryshe nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit, rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, nuk janë ligjërisht detyruese, por ato, gjithësesi, pasqyrojnë opinionin botëror, i cili ka qenë kundër veprimeve ushtarake të Rusisë ndaj Ukrainës. Apnews

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme