Atentat kandidatit për president, Ekuadori në gjendje të jashtëzakonshme

Në Ekuador është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, pasi një prej kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në vend u qëllua për vdekje gjatë një tubimi elektoral.
59-vjeçari Fernando Villavicencio, anëtar i asamblesë kombëtare të vendit, u qëllua me tre plumba të mërkurën (9 gusht), teksa po largohej nga tubimi që po mbante në qytetin verior të Kuitos, raporton BBC.
Villavicencio po hipte në makinë kur autori i doli përpara dhe e qëlloi. Po ashtu, nëntë persona mbetën të plagosur, ndërsa autori i ngjarjes u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me sigurinë.
Presidenti ekuadorian, Guillermo Lasso, u zotua se vrasja nuk do të mbetet e pandëshkuar, duke thënë se “krimi i organizuar ka bërë një rrugë të gjatë, por pesha e plotë e ligjit do të bjerë mbi ta”.
Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale është planifikuar të mbahet më 20 gusht.
Villavicencio njihej si denoncues i ashpër i korrupsionit qeveritar në Ekuador. Ai kishte pesë fëmijë dhe renditej se një nga tetë pretendentët për raundin e parë të zgjedhjeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




