Atentatet/ PD: Ministri Çuçi të bëjë gati një plan masash kundër krimit, ose të japë dorëheqje

Politikë | 4 vite më parë

Partia Demokratike i ka bërë thirrje sot Policisë së Shtetit, që t’i kthehet detyrës, si dhe i ka kërkuar ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, të bëjë gati një plan masash kundër krimit, ose të japë dorëheqje. Apeli është bërë nga shefi i Organizimit në PD, Klevis Balliu, duke marrë shkas nga atentatet e dy ditëve të fundit, ku 4 persona kanë humbur jetën.

“Katër të vdekur në vrasje e atentate, që i shtohen një statistike të mynxyrshme të kësaj vere. Por kur shkon përtej statistikës dhe vetë vrasjeve, kupton se diçka më e thelle e kërcënon Shqipërinë. Pazotësia, pafuqia, përtacia, paqartësia dhe sidomos inkriminimi i kësaj qeverie në raport me rendin dhe sigurinë. Shihni Elbasanin, qytetin e Taulantit që kërkon një post, me dy vrasje. Shihni Vlorën, qytetin ku kryevezir është Edi Rama, me 2 të vrarë lehtësisht, si të ishin një porosi nga menyja e drekës. Shikoni Ksamilin, një xhep të vogel, që në çdo kohë mund ta mbajnë nën kontroll 2 policë, tek futet në hartën e krimit, pasi policia e Çuçit është gjithkund, por jo aty ku janë problemet.”,- tha Balliu.  

Partia Demokratike deklaron se mbështet dhe vlereson punën e qindra uniformave që bëjnë çmos për trafikun, rendin dhe qetësinë. Balliu nënvizon se puna e tyre dhe dashuria për atdheun, falimentohet çdo ditë nga shefat e lidhur me qeverinë dhe krimin.

“Është koha që, si dora vrastare e krimit ashtu dhe rënia e lirë në të cilën ka lënë qeveria Rama rendin dhe sigurinë, të ndalen me çdo kusht. Kur numri i vrasësve “të ikur në drejtim të paditur”, është i barabartë me numrin e të vrarëve, përgjegjës më shumë se bandat, është qeveria.”,- ka deklaruar Balliu.

/rtsh.al/

 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme