Atletika dhe Mbarëkombëtari Masters

Sporte të tjera | 3 vite më parë

Kampionati Mbarëkombëtar i Atletikës në nivelin Masters, apo mbi 35 vjeç, prej dy ditësh ka gjallëruar Kodrat e Liqenit në Tiranë. Presidenti i shoqatës së veteranëve të Atletikës, Rudin Bektashi, tregon dhe rëndësinë e këtij aktiviteti, si dhe numrin e pjesëmarrësve në të.

“Janë rreth 100 atletë të regjistruar, por besoj se në një numër prej 80 sportistësh do të marrin pjesë në këtë kampionat e kjo në të gjitha disiplinat e atletikës. Dhe të gjithë atletët mbi 35 vjeç po marrin pjesë, ndërsa janë të ftuar të marrin pjesë edhe ata që nuk janë. E ky do të jetë një ndër aktivitetet, i cili do të lërë emër në sportin e atletikës në Shqipëri”, thotë Rudin Bektashi

Në ditën e parë janë bërë garat e vrapimit, kurse në ditën e dytë flakja e diskut, hedhja e gjyles dhe çekiçit, kërcimi së gjati dhe ai trehapësh, ndërsa në pistë janë parë figura të tilla të atletikës si Dhimitraq Cepa, Emiljana Ciko, Laura Derhemi etj. Për Bektashin në këtë aktivitet të gjithë janë fitues.

“Synimi është që ne të rrisim miqësinë mes atletëve veteranë. Madje të rrisim dhe konkurrencën sepse dihet që kush garon në stadium është konkurrent dhe e ka ambicje të marrë medalje dhe diploma. Por një nga qëllimet kryesore është që të ngjallim dashurinë për sportin tek brezi i ri”, bën të ditur Bektashi.

Në fund, i pari i veteranëve shqiptarë ka përmendur jo vetëm mbështetjen e Federatës Shqiptare e Atletikës, por dhe të Bashkisë së Tiranës.

“Ne jemi pjesë e Federatës Shqiptare të Atletikës dhe mbështetësja kryesore me bazë materiale për aktivitetin. Por unë dua të theksoj dhe mbështetjen e madhe të Bashkisë së Tiranës, aq më tepër që edhe Tirana është kryeqyteti Europian i Sportit për vitin 2023”, përfundon Rudian Bektashi.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme