Bajern, Tuhel në rrezik

Gjermani | 3 vite më parë

Lëkundet stoli i Tomas Tuhel. Drejtuesit e Bajernit thonë se trajneri është i sigurt, por kanë nisur të shohin për zëvendësues. Xabi Alonso mund të vijë vetëm në verë, për tani qarkullojnë emrat Glasner, Flick e Murinjo.

E ardhmja e Tomas Tuhelit si trajner i Bajernit do të vlerësohet vetëm në fund të sezonit. Të paktën kjo është linja zyrtare e bërë e ditur nga drejtuesit e klubit, pas ndeshjes së humbur 3-0 në Leverkusen, çka bëri që distanca me kryesuesit të shkojë në pesë pikë. Gjatë gjithë sezonit Bajern nuk ka qenë kurrë bindës në paraqitje, por në favor të trajnerit kanë pikët, pasi bavarezët kanë pasur ecurinë më të mirë që nga koha e Guardiolës, dhe vendi i dytë ishte për shkak të ecurisë fantastike të Bajer Leverkusen, që nuk ka lëshuar pothuajse asgjë.

Por ndeshja e fundit i ka shtuar natyrshëm dyshimet për të ardhmen e Tuhelit në një stol aq të nxehtë, ku trajnerë të tjerë janë shkarkuar edhe për më pak. Zëra të pakonfirmuar thonë se në bordin drejtues të Bajernit ka përçarje për sa i përket Tuhelit dhe po shihet rrotull për zëvendësuesin e tij, ndonëse nuk jepet koha se kur mund të ndodhë. Xabi Alsonso është përfolur si kandidat, por kjo mund të ndodhë vetëm në fund të sezonit në rastin më të mirë, pasi ai është nën kontratë me Bajer Leverkusen dhe ndërkohë mund të joshet nga Liverpul ose Real Madrid.

Një emër që mund të marrë menjëherë drejtimin është austriaku Oliver Glasner, që udhëhoqi Eintraht Frankfurt në triumfin në Europa League, si dhe Hansi Flick, që tre vjet më parë siguroi gjasshtëshen e trofeve për Bajern. Sipas Bild, edhe Zhoze Murinjo është kandidat dhe ka nisur ndërkohë që mësojë gjermanishten.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme