Baks-Rrjoll, protesta në javën e katërt, kompania: Projekti në përputhje me legjislacionin shqiptar

Aktualitet | 8 muaj më parë

Banorët e Rrjollit kanë hyrë në javën e katërt të protestës kundër asaj që ata e konsiderojnë zaptim dhe tjetërsim të tokave të tyre. Situata është tensionuar në terren, ku nuk kanë munguar përplasjet me forcat e policisë, të cilat kanë qenë të pranishme gjatë gjithë kohës.

Banorët kërkuan largimin e punonjësve të kompanisë nga toka, duke pretenduar se puna po zhvillohet në pronë të tyre.

“do vazhdojmë ccdo ditë sepse kjo është prona jonë dhe derisa të dali e drejta ne do jemi këttu ccdo ditë”

Banorët shprehen të vendosur për të vijuar rezistencën deri në një zgjidhje përfundimtare të situatës.

Më herët banorët thanë se njëri prej gjyqeve ka qënë në favor të tyre duke njohur të drejtën e probnarëve. Ndërkohë, për situatën ka reaguar kompania Gener 2, duke theksuar se projekti turistik është në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar.

Sipas kompanisë, procesi gjyqësor i përfolur në media nuk ka asnjë lidhje juridike apo faktike me perimetrin ku po zhvillohet projekti.

Gener 2 garanton se janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe se nuk është cenuar asnjë e drejtë pronësie.

Kompania shpreh shqetësim për tensionet në terren dhe thekson se punonjësit e saj janë përballur me tentativa sulmesh, ndërsa falënderon Policinë e Shtetit për garantimin e rendit dhe shmangien e incidenteve më të rënda.

Nga ana tjetër, banorët paralajmërojnë përshkallëzim të protestës nëse institucionet nuk ndërhyjnë për të pezulluar çdo veprim mbi tokat deri në sqarimin përfundimtar të situatës.

Gazetare: M. Gjoni        

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme