Balla: Brenda 10 ditëve çojmë në Kuvend ndryshimet në ligjin për Partitë Politike dhe Kodin Zgjedhor

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka deklaruar se brenda 10 ditëve do të depozitojnë në Kuvend propozimet për ndryshimet në ligjin për Partitë Politike dhe në Kodin Zgjedhor. Balla deklaroi se nuk mund të jesh kryetari i një partie politike nëse rezulton të kesh qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit.
Po ashtu, Balla bëri me dije se në mbledhjen e grupit parlamentar është diskutuar gjithashtu edhe për paketën e despiunizimit. Sipas tij, politika shqiptare ka nevojë për t’u pastruar nga ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit.
“Grupi Parlamentar i PS ka iniciuar në Kuvend disa projektligje. Ditët në vijim do kemi dhe propozime të tjera për paketën e despiunizimit në kuptimin e nevojës urgjente që ka politika shqiptare dhe institucione të tjera për tu pastruar nga ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit. Edhe sot në mbledhjen e grupit kemi diskutuar për 2 projektligjet që janë në proces, i pari është në procedurën parlamentare që ka të bëjë me ligjin për autoritetin për informimin mbi dosjet e ish-sigurimit të shtetit, nuk do të ketë më asnjë pengesë për t’u verifikuar edhe ata që janë verifikuar dikur nga komisionet e ngritura me ligj në 1995 qoftë komisioni Bezhani, qoftë Mezini. Dhe natyrshëm edhe çështja tjetër për parashikimin në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, të ketë një kohë jo më vonë se 70 ditë ku të gjithë kandidatet të bëjnë kërkesë te Autoriteti dhe Autoriteti të kenë mundësi të verifikojnë.
Gjithashtu vijon puna brenda grupit parlamentar për pjesën tjetër të paketës që ka të bëjë edhe me ligjin për dekriminalizimit, ku të parashikohen edhe bashkëpunëtorët e ish sigurimit të shtetit, si dhe ligji për partitë politike sepse nuk mund të jesh kryetari i një partie politike nëse rezulton të kesh qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit. Natyrshëm që kemi edhe çështje të tjera që kemi adresuar ne mbledhjen e grupit parlamentar”, tha Balla.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




