Balla në Shoqatën e Avokatëve Shqiptaro-Britanikë: Diaspora, rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin e Shqipërisë!

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, zhvilloi të martën një takim me avokatë dhe konsulentë ligjorë në Shoqatën e Avokatëve Shqiptaro-Britanikë në Londër.
Në fjalën e tij, ministri Balla foli për rëndësinë e diasporës shqiptare dhe kontributin e saj të pazëvendësueshëm në zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë, si dhe për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe.
Duke folur për rëndësinë historike të të drejtës së votës së diasporës në Shqipëri, Balla tha se Shqipëria ka pasur një borxh ndaj bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit.
“Edhe pse Shqipëria është ndër vendet që e ka garantuar herët të drejtën e barabartë të votës për qytetarët e saj, kemi pasur një borxh ndaj bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit. Për më shumë se 33 vite, shqiptarët që jetojnë jashtë territorit të vendit nuk kanë pasur mundësinë të ushtrojnë këtë të drejtë themelore në demokraci.”
Ai gjithashtu vlerësoi rolin e diasporës jo vetëm për remitancat, por edhe për kontributin e saj në zhvillimin e turizmit dhe rritjen e imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Në përfundim, ministri Balla theksoi marrëdhëniet e ngushta dhe bashkëpunimin strategjik mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, duke vlerësuar qëndrimet e përbashkëta mbi çështjet globale:
“Shqipëria vlerësohet si i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që e ka tërësisht të përafruar politikën e saj të jashtme me Bashkimin Europian dhe aleatët e tjerë strategjikë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Me Britaninë e Madhe, ndajmë qëndrime të njëjta për çështjet globale të mëdha, si në kuadër të NATO-s, ku jemi kontribues për paqen dhe stabilitetin, ashtu edhe në pjesëmarrjen në aleancat globale kundër terrorizmit,” përfundoi Balla.
Sipas ATSH
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




