Ballkani i hapur, Maqedonia e Veriut vendos tabelën e parë për Korsinë e Gjelbër

Në vendkalimin kufitar të Tabanovcit, mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Drejtoria maqedonase e Doganave e ka vendosur tabelën e parë për
Korsinë e Gjelbër, në kuadër të iniciativës Ballkani i Hapur. Sipas qeverisë është një nga projektet e para të iniciativës, që jep rezultat konkret dhe të dukshëm për qarkullimin më të shpejtë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit.
”Përfitimi më i rëndësishëm nga Korsia e Gjelbër për kompanitë dhe transportuesit, si dhe për operatorët e autorizuar ekonomikë nga Ballkani i Hapur është zvogëlimi i kohës së pritjes në vendkalimet kufitare. Kjo mundësohet përmes prioritetit në kalim dhe zbatimin e procedurave doganore dhe kontrolle të shkurtuara dhe të lehtësuara fizike dhe të dokumentacionit”, njoftoi qeveria maqedonase.
Me shënimin vizual të Korsisë së Gjelbër për Ballkanin e Hapur, Drejtoria e Doganave i orienton transportuesit drejt lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe zvogëlimin e harxhimeve për eksport dhe import.
Javën e ardhshme tabela të tilla do të vendosen edhe në vendkalimin kufitar të Qafë Thanës dhe pastaj këtë do të bëjnë edhe partnerët nga Serbia dhe Shqipëria.
”Ky është përfitim i rëndësishëm për kompanitë nga të tre vendet, të cilat më shpejt dhe në një mënyrë më efikase mund të qarkullojnë mallrat e tyre”, theksoi qeveria maqedonase.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




