‘Ballkani i Hapur’ Rama: S’na bashkon, por as s’na ndan! Kurti: Marrëveshjet tona më shumë se ato të bëra në një iniciativë tjetër rajonale

Politikë | 4 vite më parë

Nisma rajonale “Ballkani i Hapur” as nuk e bashkon, por as nuk e ndan Shqipërinë me Kosovën. Në konferencën e përbashkët për shtyp Rama dhe Kurti bëri të ditur që takime të tilla mes tyre janë vëllazërore dhe se nuk kanë nevojë për ndërmjetësues. Rama tha se lidhur me këtë nismë të dy kanë këndvështrime të ndryshme, por këto nuk pengojnë vendet të forcojnë marrëdhëniet dhe rrisin bashkëpunimin

“Nuk na bashkon, por as nuk na ndan. Kemi këndvështrime të ndryshme, por këto nuk na pengojnë që në marrëdhëniet bilaterale ne të vazhdojmë të ecim përpara, ashtu sikundër theksoj se porosia ime për qeverinë që drejtoj është që çdo gjë jetësojmë në Ballkanin e Hapur duhet ta jetësojmë edhe me Kosovën. Operatorët ekonomikë, dhënia të gjithë kompanive që kontribuojnë në volumin tregtar mes 2 vendeve dhe nuk kanë risk të lartë, që do të thotë nuk janë të dyshuara për veprimtari të paligjshme, e një autorizimi për të pasur një korridor pa asnjë kontroll në doganë, këtë e kemi në Ballkanin e Hapur dhe këtë duam të jetësojmë edhe më Kosovën”, tha Rama.

Rama foli edhe për heqjen e tarifave doganore për Kosovë se do të sjellë përfitime në kompanitë e Kosovës dhe kjo është një shenjë e mirë pasi një palë duhet të përfitojë deri sa të arrihet momenti që të përfitojnë të gjithë.

“Sot në Ballkanin e Hapur, duam ta bëjmë edhe me Kosovën. Ne do ta bëjmë këtë në të dyja drejtimet pa asnjë diskutim, për tarifat doganore Kosova ka kërkuar kohë për studim ekonomik, ne do ta hapim pa tarifa doganore kufirin për bizneset e Kosovës. Mos kërkoni qeveritë kur flasim për sipërmarrje, sipërmarrësit shqiptarë në Shqipëri Kosovë, janë sipërmarrës të Shqipërisë dhe të të gjithëve, është e rëndësishme që Shqipëria të jetë e gatshme ti pranojë e ti krijojë kushte. Jam shumë i lumtur për çdo investim të huaj që vjen në Shqipëri, por ne kemi nevojë për kampionët tanë që bëjnë sipërmarrje në Shqipëri Kosovë etj. dhe që përfaqësojnë fuqinë e sipërmarrësve shqiptarë. Ajo që patë me portin e Durrësit dhe të Prishtinës sepse është një port i shtrirë, është zgjidhja përfundimtare e kësaj historie, lidhet me nevojën për të pasur autonomi që të mos goditet financiarisht nga sinergjia. Nuk e kisha në asnjë kontekst tjetër përveçse në këtë që pala e Kosovës ka kërkuar kohë. Ne nuk kemi nevojë të studiojmë, kështu që do e bëjmë nga ana jonë dhe do përfitojnë kompanitë e Kosovës. Nuk do përfitojnë të gjithë në të njëjtën kohë, s’ka problem, të përfitojë një pjesë”, tha Rama.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se po studiohet mundësia e heqjes së tarifave doganore, por ndërkohë u shpreh se 19 marrëveshjet e arritura sot në mbledhjen e qeverisë janë shumë më shumë se marrëveshjet e arritura në Ballkanin e Hapur.

“ Së pari duhet të theksojmë se arritëm marrëveshje protokolle dhe memorandume 19 sot dhe kjo është për tu përshëndetur. Marrëdhënie tona bilaterale janë të shkëlqyeshme dhe vëllazërorë dhe vëllezërit nuk kanë ndërmjetësues midis njëri-tjetrit. Janë marrëveshje që të forcojmë të dy shtetet tona. Për çështjen e Ballkanit të Hapur është e një dimensioni tjetër, nuk kam asgjë të re tu them. 19 marrëveshje sot janë shumë më shumë se marrëveshje që janë bërë në një iniciativë tjetër rajonale. Lajm sot është avancimi i të përbashkëtave tona dhe ndasitë që dihen”, tha Kurti.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme