Balluku bën bilancin: Dorëzuam 44.5 km rrugë të reja në 2024-ën, fluks udhëtarësh në akset e sapo hapura turistike

Ekonomi | 2 vite më parë

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se gjatë këtij viti janë dorëzuar  44.5 km rrugë të reja, që janë autostrada të kategorisë A.

Në konferencën e zhvilluar në përmbylljen e sezonit turistik veror, Balluku theksoi se këtë vit u hap rruga Thumanë-Kashar për përdorimin e të gjithë drejtuesve të automjeteve.

“Nga mbrëmja e 28 qershorit deri në 30 shtator, në aksin Thumanë-Kashar kanë kaluar 2 milionë e 700 mijë automjete, shifër rekord edhe për autostradat e tjera të rajonit”, tha ajo.

Ndërkohë Balluku theksoi se nga tuneli i Llogorasë i cili u hap në 5 korrik, kanë kaluar deri në 30 shtator 715 198 automjete.

“Këto shifra janë përgjigjja e vetme për të gjithë ata që vazhdojnë baltosin një vend që po lulëzon në rang botëror për sa i përket industrisë së turizmit dhe që ka vëmendjen e plotë të të gjitha medieve ndërkombëtare”, tha Balluku.

Po ashtu, Balluku theksoi se janë bërë të disponueshme një sërë aksesh turistike si ai  Palasë-Dhërmi apo Orikum-Dukat.

“Do të vazhdojmë edhe me lidhjen e Orikum-Dukat me tunelin e Llogorasë, apo vazhdimi i rrugës së Jugut, që e kemi premtuar”, tha ajo.

Balluku theksoi po ashtu se ka ende shumë punë përpara si hapja e garës ndërkombëtare për një tjetër segment të Korridorit Blu, atë Milot-Balldren, një segment shumë i pritur nga gjithë pjesa e veriut të vendit. 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme