Balluku: Fillojmë shumë shpejt garën ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano

Në Pashaliman janë certifikuar këtë të shtunë (1 qershor) punonjësit e Autoritetit Portual të Durrësit, pas kursit bazë të zhytjes dhe kursit për mjetet e vogla lundruese të sigurisë portuale.
E pranishme, zv.kryeministrja Belinda Balluku, njëherazi edhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, bëri me dije se do të nisë shumë shpejt edhe gara ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri të Porto Romanos.
Lidhur me ndërtimin e bazës detare të NATO-s, Balluku tha se do të nisë shumë shpejt puna edhe me drejtuesit e Aleancës për t’i dhënë vazhdimësi këtij projekti.
“Sot me angazhimin e të gjithë atyre që kanë një pjesë të rëndësishme në industrinë detare, po e çojmë në një nivel tjetër. Forca detare, përveç se është një prej 3 shtyllave të FA është edhe agjencia kryesore ligjzbatuese në ujërat tona territoriale dhe zonën tonë ekonomike. Për mbarëvajtjen e sezonit turistik, komponenti i ligjshmërisë në det është shumë i rëndësishëm për sigurinë e të gjithë pushuesve.
Ne planifikojmë të nisim në të ardhëm disa iniciativa shumë të rëndësishme përsa i përket ndërtimit të porteve, siç është ndërtimi i triportit si një port i integruar ku do të akomodohen të gjitha nevojat dhe duke lënë pas portin e vjetër të Vlorës dhe duke e kthyer në një marinë turistike dhe duke shkuar në projektin më ambicioz që qeveria ka në vitet në vazhdim. Vetëm pas pak ditësh ne do të fillojmë garën ndërkombëtare për ndërtimin e njësisë më të madhe detare në Ballkanin perëndimor, ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, një port komercial, modern, sipas kërkesave dhe parimeve të BE. Ne planifikojmë të ndërtojmë në të njëjtin basen edhe një nga bazat detare të NATO-s që do jetë krenaria e forcave detare shqiptare. Jemi gati për të nisur nga puna me të gjithë drejtuesit e NATO-s për të certifikuar dhe për t’i dhënë vazhdimësi këtij projekti”, tha Balluku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




