Balona “spiune” në hapësirën ajrore të SHBA, reagon Kina: Shërben për motin, por doli nga kontrolli

Kina ka kërkuar trajtimin “me qetësi” të një mosmarrëveshjeje mbi një balonë gjigante kineze që u pa duke fluturuar drejt SHBA-së lindore. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken anuloi më parë një vizitë në Pekin, duke thënë se prania e balonës “mbikëqyrëse” ishte “një akt i papërgjegjshëm”.
Më vonë, SHBA-ja raportoi një balonë të dytë kineze mbi Amerikën Latine. Kina shprehu keqardhjen për balonën mbi SHBA, duke thënë se ishte ngritur për motin dhe se kishte dalë nga kontrolli duek shkuar në drejtim të gabuar.
SHBA ka vendosur të mos e rrëzojë atë për shkak të rrezikut të rënies së mbeturinave. Incidenti vjen në mes të situatës së tensionuar mes SHBA-së dhe Kinës. Në një deklaratë të shtunën, ministria e jashtme kineze tha se Pekini “kurrë nuk ka shkelur territorin dhe hapësirën ajrore të ndonjë vendi sovran”.
Ajo tha se zyrtari i saj i lartë i politikës së jashtme Ëang Yi kishte diskutuar incidentin me Blinken përmes telefonit, duke theksuar se mbajtja e kanaleve të komunikimit në të gjitha nivelet ishte e rëndësishme, “veçanërisht në trajtimin e disa situatave të papritura në një mënyrë të qetë dhe të besueshme”.
Ai shtoi se Pekini nuk do të pranonte asnjë hamendje të pabazë dhe akuzoi disa politikanë dhe media në Shtetet e Bashkuara për përdorimin e incidentit si një pretekst për të sulmuar dhe njollosur Kinën.
Sipas zyrtarëve amerikanë, balona fluturoi mbi Alaskë dhe Kanada përpara se të shfaqej mbi shtetin amerikan të Montanës, i cili është shtëpia e një numri qendrash të ndjeshme raketore bërthamore.
Incidenti zemëroi zyrtarët e lartë amerikanë, me Blinken që tha se ai i kishte thënë Pekinit se prania e balonës ishte “një shkelje e qartë e sovranitetit të SHBA dhe ligjit ndërkombëtar” dhe “një akt i papërgjegjshëm”. Ai e quajti atë “të papranueshme” dhe “madje më të papërgjegjshme ardhjen në prag të një vizite të planifikuar prej kohësh”.
Kryediplomati amerikan ishte caktuar të vizitonte Pekinin nga 5 deri më 6 shkurt për të zhvilluar bisedime për një gamë të gjerë çështjesh, duke përfshirë sigurinë, Tajvanin dhe Covid-19. Ky do të ishte takimi i parë i nivelit të lartë SHBA-Kinë në vite.
Por të enjten, zyrtarët e mbrojtjes amerikane njoftuan se po gjurmonin një balonë gjigante mbikqyrjeje mbi SHBA. Të premten, Kina më në fund pranoi se balona ishte pronë e saj, duke thënë se ishte një balonë civile e përdorur për kërkime meteorologjike, e cili devijoi nga rruga për shkak të motit të keq./ BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




