Banjë, instalohen parqet e rinj diellor, më shumë se 6400 panele, do të furnizojnë 16.000 familje

Investimi më i madh privat në hidroenergji në Shqipëri, në 30 vitet e fundit, ka nisur intensivisht nga puna dhe po ecën përpara me fazën përfundimtare të unazës diellore lundruese të Banjës, bazuar në teknologjinë novatore lundruese të Ocean Sun, kompanisë lider në botë për parqet lundruese diellore.
Më 1 prill 2022, floateri i parë i centralit diellor lundrues në Banja filloi funksionimin tregtar, bazuar në teknologjinë inovative diellore lundruese. Njësia e parë ka një kapacitet të instaluar prej 500 kWp. Që nga 5 korriku 2022, Statkraft ka dhënë njoftimin për të vazhduar me instalimin e 3 parqeve shtesë, duke e çuar instalimin total në 2 MWp.
Parqet lundrues do të vendosen në rezervuarin e Banjës në Shqipëri, përveç hidrocentralit, 72 megavat të Statkraft, që prodhon dhe shet aktualisht energji elektrike hidro. Sistemi do të gjenerojë energji të rinovueshme për rrjetin kombëtar shqiptar të energjisë elektrike, me gati 6400 panele diellore. Ndërtimi shtesë në rezervuarin e Banjës të Statkraft është sistemi i parë me shumë unaza, që i hap rrugën zgjidhjes inovative për solarin lundrues.
Duke kombinuar ekspertizën norvegjeze detare dhe njohuritë brenda fotovoltaikëve, kompania që ka zyrat e saj në Oslo, Singapor dhe Shangai, ka zhvilluar një risi, që ofron një zgjidhje të guximshme për nevojat globale për energji.
Teknologjia e patentuar bazohet në module diellore të montuara në membrana hidro-elastike dhe ofron përfitime nga kostoja dhe performanca që nuk shihen në asnjë sistem tjetër fotovoltaik lundrues sot. Kompania që po investon në HEC Banja është ofruesi kryesor i teknologjisë në botë i energjisë diellore lundruese.
Shqipëria përfiton nga kjo energji e pastër, pasi nëpërmjet vetëm një parku lundrues furnizohen me energji jo më pak se 16 mijë familje. Shqipëria do të prodhojë energji diellore dhe nga gazi natyror, përveç energjisë hidrike. Shqipëria ka ndërkohë 11 projekte të planifikuara të energjisë diellore dhe një numër të konsiderueshëm kërkesash për licensimin e prodhuesve që ofrojnë deri në 1000 megavat orë energji të prodhuar nga dielli.
Centrali fotovoltaik lundrues mbi HEC Banjë është licensuar me afat 25 vjeçar nga Enti Rregullator i Energjisë, për veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike. Centrali fotovoltaik mbi HEC-in e Banjës do të ketë kapacitet të instaluar 2MW dhe do të ndërtohet me kosto rreth 2.5 milionë euro. Në vende ku ka potencial për energjinë diellore, kompanitë ndërkombëtare po gjejnë mënyra për t’i kombinuar hidron dhe diellin, për një menaxhim më të mirë të energjisë, sikundër po ndodh në Banjë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




