Banka Botërore: Rritja ekonomike e Shqipërisë vlerësohet në 8.5% në 2021!

Ekonomi | 5 vite më parë

Banka Botërore ka publikuar të mërkurën Raportin e Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, 2021, i titulluar “Manovrim mes krizash”.

Rritja ekonomike në rajonin e Ballkanit Perëndimor arriti në 7.4 për qind në vitin 2021, pas një tkurrjeje prej 3.2 për qind në vitin 2020. Ky rikthim në norma pozitive i rritjes ekonomike u shoqërua me një rritje të ndjeshme të vendeve të reja të punës, ku kërkesa për punësim solli ulje të varfërisë në të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.

Ekonomia e Shqipërisë u rimëkëmb fuqishëm nga kriza e COVID-19 në vitin 2021. Rritja vlerësohet në 8.5%, ndërsa shkalla e varfërisë ka rënë ndjeshëm nga 31.3% në 22%. 

Por rritja e inflacionit mund të zvogëlojë rritjen e të ardhurave në familjet e varfra dhe të cënueshme, duke ndikuar ritmin e uljes së varfërisë, vlerëson BB.

Sipas saj, Lufta në Ukrainë do të ngadalësojë rritjen ekonomike dhe çmimet e larta do ulin konsumin.

“Inflacioni pritet të jetë 5% dhe nëse lufta zgjat do ketë rritje të mëtejshme të çmimeve. Borxhi publik mund të përkeqësohet si pasojë e rreziqeve të shtuara prej luftës. Shkalla e varfërisë për vitin 2021 ishte 22%, pritet ulje në 19.4% për këtë vit. Konsumi pritet të ulet këtë vit nga 4.5% në vitin e shkuar në 2% këtë vit. Investimet e huaja do të rriten këtë vit me 0.3%, nga 4.8% që u rritën në vitin e kaluar”, vlerëson Banka Botërore.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme