Banka e Shqipërisë publikon për herë të parë normat tavan të interesit për kreditë konsumatore

Ekonomi | 5 vite më parë

Në Shqipëri vitet e fundit janë shtuar institucionet financiare jo bankare të dedikuara për kredi të shpejta në shumë të vogla, pa shumë dokumentacion, të cilat aplikojnë norma të larta interesash. Mungesa e transparencës nga këto institucione ka detyruar Bankën e Shqipërisë të ndërhyje duke ndryshuar një rregullore për kredinë konsumatore e cila i mundëson publikimin për herë të parë të normave tavan të interesit për kreditë konsumatore. 
Në një intervistë për RTSH-në, Drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, Deniz Derralla thotë se vendosja e këtij tavani synon mbrojtjen e konsumatorit përmes transparencës. 
Sipas tij Norma efektive maksimale e interesit për shumat deri në 200 mijë lekë do të jetë 171.41% për kreditë me këste. Ndërkohë që përpara hyrjes në fuqi të rregullores së ndryshuar norma arrinte deri në 280%. 
Nga ana tjetër, rregullorja që ka hyrë në fuqi nga fillimi i këtij viti parashikon edhe vendosjen e një kufiri të penaliteteve dhe kamatëvonesave për këstet e papaguara e cila synon të kufizojë mundësinë që pagesa e kredisë së marrë të bëhet e papërballueshme.
Rregullat e reja janë të detyrueshme për t’u respektuar nga të gjitha bankat dhe institucionet financiare të licencuara për aktivitet të huadhënies në Shqipëri, në të kundërt ligji parashikon penalitete nga gjoba e deri në heqje të licensës. 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme