Banka qendrore dhe BERZH flasin për inflacionin, ekonominë e gjelbër në Shqipëri

Inflacioni ka qenë në qendër të vëmendjes të Bankës së Shqipërisë dhe se politikat monetare dhe ekonomike të ndjekura kanë ndihmuar në ruajtjen e një niveli të ulët inflacioni krahasuar me vendet e rajonit dhe në uljen e pasigurisë.
Këto politika kanë luajtur një rol të rëndësishëm në drejtim të forcimit të stabilitetit monetar e financiar të vendit.
Kështu u shpreh guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Sejko, gjatë një takimi me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e BERZH-it rikonfirmuan mbështetjen që ky institucion do të vijojë të japë për Shqipërinë, veçanërisht për zhvillimin e energjisë së rinovueshme dhe sektorëve të turizmit dhe bujqësisë në Shqipëri.
Një shembull mjaft i mirë është lehtësimi i financimit të ekonomisë së gjelbër, përmes të cilit BERZH-i ka mbështetur kreditimin e bankave për sektorin rezidencial për investime në përmirësimin e eficiencës së energjisë.
Ata u ndalën gjithashtu në rolin që Banka e Shqipërisë ka në cilësinë e Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, duke e cilësuar atë si një nga më të avancuarit në Ballkanin Perëndimor.
Përfaqësuesit e BERZH-it gjithashtu u shprehën se trendi forcues i kursit të këmbimit është në linjë me rritjen e eksporteve dhe përmirësimet strukturore në balancat e jashtme të ekonomisë shqiptare.
Në këtë kontekst, ata theksuan përfitimet që ka ekonomia shqiptare nga regjimi i lirë i kursit të këmbimit.
Gazetare: Amela Koçerri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




