Bardhi: Kuvendi i Berishës nesër është vetëm në interesin e tij personal, akt përçarës për PD-në

Politikë | 5 vite më parë

Kuvendi i PD që po organizon Sali Berisha, konsiderohet nga pjesa tjetër kundër tij, si një “akt përçarës për të dëmtuar Partinë Demokratike”. Ky koment është bërë nga Sekretari i Përgjithshëm I PD-së, Gazment Bardhi.

Në një reagim në rrjetet sociale, zoti Bardhi shkruan se ndërtimi i strukturave paralele, nga baza në qendër nuk është asgjë tjetër, vetëm një akt turpi për të dëmtuar PD, për të mbajtur gjallë ndasitë mes demokratëve dhe për të shfokusuar PD nga beteja me regjimin e Edi Ramës.

“Nesër Sali Berisha ka lajmëruar një tjetër akt përçarës të Partisë Demokratike. Interesi i demokratëve është bashkimi dhe lufta e të gjithëve bashkë me Edi Ramën. Interesi i Sali Berishës është përçarja, zvogëlimi, lufta dhe armiqësia mes demokratëve dhe ndërtimi i një partie personale, që i shërben vetëm interesit të tij personal. Në vijim të ndërtimit të një partie personale, nesër sipas tij radhën e ka Këshilli Kombëtar. Qartësisht ajo që po bën Sali Berisha nuk ka lidhje me Partinë Demokratike. Këshilli Kombëtar i PD është në detyrë, funksional, i regjistruar në gjykatë dhe me mandat që i përfundon më 17 Korrik 2025. Ndërtimi i strukturave paralele nga baza në qendër, nuk është asgjë tjetër, vetëm një akt turpi për të dëmtuar PD, për të mbajtur gjallë ndasitë mes demokratëve dhe për të shfokusuar PD nga beteja me regjimin e Edi Ramës.”- shkruan Bardhi.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme