Bardhi: Po diskutojmë për përshkallëzim aksioni. Kuvendi komandohet nga Rama

Politikë | 3 vite më parë

Deputeti demokrat Gazment Bardhi në një konferencë për media, ka hedhur një sërë akuzash ndaj Kuvendit e mazhorancës. AI u shpreh se Kuvendi komandohet nga vullneti i një individi të vetëm, Edi Rama.

Teksa i ka bërë thirrje mazhorancës për reflektim mbi qasjen ndaj opozitës,  Bardhi parpalajmëroi dhe një përshkallëzim të aksionit opozitar.

“Mazhoranca e dha provën se dëshiron një Kuvend pa opozitë. Ata kërkojnë asgjësimin e opozitës. Kjo është arsyeja përse protestojmë dhe qëndrojmë në aksion për të pamundësuar një normalitet të rremë. Ne duam Kuvend funksional, por ky funksionalitet s’duhet të jetë i rremë. Asgjë nuk është në rregull.

Sa i përket shkeljeve, ato i ka kryer Kryeparlamentarja. Nëse do duhet të ketë ndëshkim në masë disiplinore te merret ndaj atyre që penguan deputetët e opozitës të futen në Kuvend.

Të vijojë me burgosje, internime të deputetëve të opozitës, ne do rrimë ballë kësaj situate. Kemi diskutuar dhe diskutojmë për momentin e duhur për përshkallëzimin e aksionit tonë.

Mazhoranca të reflektojë mbi sjelljen e saj me opozitën në Parlament. Parlamenti komandohet nga vullneti i një individi dhe që duhet të jetë subjekt kontrolli parlamentar.

Nëse Rama ka marrë vendim të asgjësojë opozitën, do na ketë përballë”, u shpreh Bardhi.

Sa i përket deklaratave të artikuluara ditën e djeshme (5 shkurt) nga kreu i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi  se Amnistia Penale do votohej në Kuvend nëse do kishte konsensusin e opozitës, Bardhi u shpreh se fillimisht duhet që Parlamenti t’i kthehet normalitetit.

“Së pari, para se të shkojmë në votimin e ligjeve konsensuale ku Amnistia ka qenë e tillë, Parlamenti duhet t’i rikthehet normalitetit dhe kjo po pengohet nga refuzimi që mazhporanca bën ndaj kërkesave të opozitës. Ne e mbështesim Amnistinë Penale, ka qenë traditë e gjatë kur është votuar në mënyrë konsensuale, Por para se të shkojmë në këtë fazë, pra të bëjmë një konsensus të rremë, do duhet t’i rikthehemi shinave të kushtetutshmërisë. Ngritja e komisioneve hetimore është funksion kushtetues i Kuvendit”, tha Bardhi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme