Basha akuza Ramës: Po eksporton shqiptarët!

Politikë | 5 vite më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në seancën e sotme parlamentare, akuzoi edhe një herë kryeministrin Edi Rama, se po shkakton largimin masiv të shqiptarëve. Sipas tij, Rama me politikat e veta po siguron vetëm xhepat e një grupi oligarkësh dhe nuk po mendon për përmirësimin e kushteve të jetës së shqiptarëve. Kreu i selisë blu tha se 2 miliardë euro për 7 kontrata PPP tregojnë qartë se po shpërdorojnë paratë e shqiptarëve në mënyrën më të pacipë.

“Realisht është e pamundur të ndalohet katastrofa kombëtare që po ndodh në Shqipëri. Shohim shkolla që mbyllen për mungesë nxënësish, fshatra që zhduken nga harta, të rinj e të reja që ikin përditë, studentë që nuk duan të kthehen pas përvojës jashtë shtetit. Kjo tregon qëndrueshmërinë tonë si shoqëri.

Në statistika doli që shqiptarët kërkojnë azil më shumë se sa sirianët e regjimit të Assad-it. Miliarda euro borxh në emër të shqiptarëve nga xhepat e shqiptarëve që nuk përkthehen në mirëqënie. Nuk shkuan as për sistem shëndetësor e arsimor, as në rroga më të larta, e as në pensione. Nga 1991 ka marrë më shumë borxh se të gjitha qeveritë e marra sëbashku. E kthyen Shqipërinë në një vend që konkurron me vendet që janë në luftë civile. Ku shkuan këto miliarda borxh?

Në këtë shtet të kapur nga korrupsioni, shkojnë për një grup të vogël njerëzish që fshihen pas këtyre. 2 miliardë euro për 7 kontrata PPP tregojnë qartë se po shpërdorojnë paratë e shqiptarëve në mënyrën më të pacipë. Nuk krijon kushtet për shqiptarët, por u mbush xhepat një grupi njerëzish.

Po eksportojmë shqiptarët, se i është mohuar një ardhme më e mirë. Po importojmë hallexhinj nga cepat më të largët të botës, që u zënë vendin bijve dhe bijave shqiptare. Zgjidhja që ne ofrojmë, është vetting në politikë, në mënyrë që interesat e shqiptarëve të mos përfaqësohen nga lloj lloj kriminelësh,” u shpreh Basha.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme