Basha bën ndryshime në strukturën e PD-së

Kreu i PD Lulzim Basha ka ndërmarrë ndryshime të rëndësishme në kupolën e PD, njoftojnë mediat. “Në zbatim të vendimit të Kryesisë, ku është vendosur që organizatorët e dhunës të mos mbajnë pozicione drejtuese në Grup Parlamentar, dua t’ju njoftoj ndryshimet që do ti propozoj Grupit Parlamentar. Kam vendosur që këtë ta ndajë më së pari me Këshillin Kombëtar të PD, ku është prezent e gjithë trupa drejtuese e partisë” citojnë ato të ketë thënë zoti Basha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar .
“Fillimisht dua tju informoj se me një vendim të përbashkët timin dhe të Kryetarit të Grupit Parlamentar z. Alfred Rushaj, kemi vendosur me dakordësi, që drejtimi i Grupit, me sfidat e reja që kemi përpara, t’i kalojë z. Enkelejd Alibeaj.
Edhe pse z. Rushaj nuk është sot prezent në mbledhje për arsye shëndetësore, unë dua ta falenderoj atë për gjithë punën e jashtëzakonshme që ka bërë gjatë kësaj periudhe, dhe bashkërisht jemi duke punuar për një projekt të përbashkët politik për të ardhmen, që ndihmon dhe con përpara sfidat që ka PD.”, ka thënë Basha.
Këshilli Kombëtar ka votuar që Agron Gjekmarkaj të marrë postin e nënkryetarit të Partisë Demokratike. Burime brenda PD thanë se Rushaj nuk ka pranuar më të qëndrojë në PD, pasi nuk ka qenë dakord me përjashtimet e deputetëve dhe as me politikën e ndjekur nga Basha, veçanërisht me sjelljen e lidershipit në protestën e 8 Janarit.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD, kryetari Lulzim Basha ka propozuar ndryshime në drejtimin e komisioneve të përhershme parlamentare. Një nga ndryshimet që bie në sy është dhe ai i zëvendësimit të Albana Vokshit me Grida Dumën në krye të Komisionit të Shëndetësisë.
Ndryshimet
Kryetar i Komisionit të Shëndetësisë: Grida Duma
Kryetar i Komisionit të Arsimit: Flutura Açka
Nënkryetar i Komisionit të Ligjeve: Dhurata Çupi
Sekretariati për Buxhetin: Xhelal Mziu (Sekretar)
Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën: Bledion Nallbati (anëtar)
Sekretariati për Statusin e Deputetit: Dashnor Sula (Sekretar)
Sekretariati për Kërkimin Parlamentar, Bibliotekën dhe Botimet: Lindita Metaliaj (anëtar).
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




