Basha: Berisha mashtron, “non grata’ nuk i është hequr askujt! Protesta e tij, kundër SHBA

Politikë | 5 vite më parë

Kryetari i PD, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat, një ditë para protestës së paralajmëruar nga Berisha, deklaroi se Sali Berisha ka mashtruar, kur në nisje të lëvizjes së tij për të marrë e shndërruar Partinë Demokratike në bunker antiamerikan, pas shpalljes së  tij “non grata”, tha se kam shkelur statutin.

“Lëvizjet e Sali Berishës, që nga shtatori  kur unë mora vendimin e për pezullimin e tij, e sot e gjithë ditën,  kanë shërbyer për të zhurmuar e devijuar fokusin e betejes sonë opozitare, rrjedhimisht duke i dhënë oksigjen qeverisë. Për hallin e tij që as e ka nga ne, as ia zgjidhim dot ne, Sali Berisha ka thirrur një protestë kundër Partisë Demokratike, në të vërtetë kundër SHBA. Ka një pikë kur boll është boll. Unë dua tu drejtohem sot të gjithë demokratëve, e sidomos atyre që kanë dashur me sinqeritet thirjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm të Partisë Demokratike, të cilin Kryesia e PD-së e thirri në datë 18 dhjetor edhe në reflektim të kerkesave të tyre. Pa dashur të përsëris çfarë kam thënë disa herë rreth përpjekjeve të mia për të gjetur bashkë me Sali Berishën zgjidhjen me të mire për PD në  radhë të parë, por në  bindjen time edhe për atë vetë, përpjekje që rezultuan të pasuksesshme, e  ndjej si detyrim politik  e njerëzor tju them: -Sali Berisha ju ka mashtruar kur në nisje të lëvizjes së tij për të marrë e shndërruar Partinë Demokratike në bunker antiamerikan pas shpalljes së  tij “non grata”, ju tha se unë kam shkelur statutin sepse nuk e kam votuar në Kryesi dhe në Këshillin Kombëtar vendimin e pezullimit të tij. “, tha Basha.  

Kreu i PD-së ka bërë me dije se tani më nuk ka asnjë mundësi negociimi me Berishën, për zgjidhjen e krizës.

“Dua të përsëris se ndërsa nuk jam më i hapur për asgjë ndaj personit të shpallur “non grata”, që ka venë hallin e tij, mbi interesat e demokratëve dhe të Shqipërisë, jam i gatshëm të dëgjoj dhe po dëgjoj, po reflektoj e do të vazhdoj të reflektoj me qëndrime e vendime demokratike ndaj kritikave, kundështimeve, kërkesave dhe propozimeve që forcojnë bashkimin tonë në diversitet, që sherbejnë për modernizimin e Partisë Demokratike dhe fitoren e saj. Kjo është e ardhmja që demokratët kanë zgjedhur, kjo do të jetë e ardhmja e Partisë Demokratike”, tha Basha. 

Ai theksoi se selia e PD nuk është e nuk do të jetë një han mesjetar, ku mund të hyjnë eksponentë të botës së trafiqeve dhe krimit dhe të merret peng nga ish-zyrtarë të korruptuar të qeverisjeve të PD-së.

“Selia e PD s’do jetë arenë vetëgjyqësie për interesat e Berishës. Situata është e qartë. Përplasje mendimesh po, liri shprehje po, liri zgjedhjesh dhe garë, po. Përplasje nga ato që ka ndërmend Berisha nuk ka e nuk duhet të ketë. Demokratëve u bëj thirrje të rrijnë larg skenarëve të dhunës dhe destabilizimit të PD. Berisha po ju gënjen dhe po ju manipulon. Kërkon të përdorë demorkatë. Nesër ai ka mobilizuar trafikantë dhe kriminelë për dhunë. “-tha Basha.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme