Basha: Berisha po përdor PD-në si mburojë ndaj SHBA-ve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se Sali Berisha po përdor PD-në, ose një pjesë të saj si mburojë ndaj SHBA-ve. Në një intervistë televizive, Basha sqaroi situatën e PD-së në lidhje me “foltoren” e Sali Berishës dhe dorëzimin e 4200 firmave për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 11 dhjetor.
Basha u shpreh se “ky është një moment shumë i rëndësishëm për PD, për mua personalisht dhe këtu nuk bëhet fjalë për letra, por për demokratët, për të gjithë demokratët, për anëtarët e PD, për votuesit tanë dhe për shqiptarët që na ndjekin”.
“Për mua nëse aty ka 5, 50 apo 500 firma të vlefshme, nuk janë firma, nuk janë letra, por janë demokratë dhe është detyra ime si kryetar i PD, të garantoj që të gjitha, secila prej tyre të verifikohet sipas statutit, që është libri themeltar që mban bashkë demokratët. Është kushtetuta që kanalizon vullnetin e çdo demokrati, mbron të drejtat e çdo demokrati është ajo që mundëson funksionimin e PD, si një parti demokratike si kudo në planet. Pa funksionimin e statutit jemi në xhungël”, tha Basha.
“Ndaj është e domosdoshme për mua dhe për çdo demokrat që çdo përcaktim statutor për thirrjen e Kuvendit të respektohet përndryshe nuk është Kuvend, është një thirrje në mal apo në pyll, por vetëm kuvend jo. PD ka vepruar dhe vepron në bazë të statutit. PD nuk është nën drejtimin tim dhe nuk do të jetë një lëvizje dumbabiste. Ndaj është jetike që të gjitha përcaktimet statutore që janë të qarta dhe janë shpjeguar këto dy ditë në mënyrë shteruese nga institucionet e partisë të zbatohen. Përtej kësaj dua të them që mbajtja sekret ndaj institucioneve të partisë e atyre që pretendohen se janë vullnete demokratësh për të thirrur vullnetin kombëtar është një fyerje e madhe për çdo demokrat”, tha Basha.
Në lidhje me pezullimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD pas shpalljes “non grata” nga SHBA, Basha u shpreh se “kam shpjeguar qartë kontekstin e pezullimit të Berishës nga grupi parlamentar. Me atë që ka bërë këto dy muaj ka treguar qartë se atë që e ka nisur si lëvizje për gjoja demokraci, e ka sebep. Hakmarrje ndaj meje, mund ta them me gojën plot”.
“Ai se ka luftën me mua, as për demokracinë e brendshme të PD, por me SHBA-të. Vendimi ka ardhur nga SHBA-të, të cilët e kanë përcaktuar si “non grata”, të padëshirueshëm politikisht. PD nuk mund të jetë dhe nuk mund të funksionojë si mburojë për një person të shpallur non grata, secilido qoftë ai. Askush s’mund të marrë dhe të kthejë PD si një bunker për interesat e veta. Ky është qëndrimi statutor i PD. Kjo ka qenë edhe kur Berisha ishte kryetar i PD. Nuk është detyrimi im si kryetar i zgjedhur me ‘një anëtar, një votë’. Ky është detyrim i çdo demokrati që mos të lejojë që PD të përdoret si mburojë pas së cilës të fshihet kush është shpallur non grata. Ai po përdor PD, ose një pjesë të saj si mburojë ndaj SHBA-ve. Unë dua t’ua them fare qartë se do të merret çdo vendim që është i nevojshëm që PD mos të kthehet në një bunker të interesave personale as të Berishës, as dikujt tjetër. Por do të vazhdojë të jetë alternativa e vetme e shqiptarëve ndaj këtij regjimi dhe pro SHBA-ve”, theksoi ai.
Në lidhje me akuzat që vijnë nga “Foltorja” për humbjet që ka pësuar PD, Basha deklaroi se është i vetmi kandidat që ka mundur Edi Ramën në garë të drejtpërdrejt për bashkinë e Tiranës.
“Pikë së pari dua ta them qartë sepse është një fakt i ditur publikisht që unë jam i pari dhe i vetmi kandidat që ka mundur Edi Ramën në garë të drejtpërdrejtë për bashkinë e Tiranës. Nuk e kam thënë çelësin e fitores deri më sot, por tani është momenti ta them. Ka qenë vendimi për të përjashtuar Sali Berishën nga fushata për Tiranën. Gjatë këtyre viteve ekspertë dhe kompani të specializuara të fushatave elektorale në bazë të studimeve të tyre kanë rekomanduar vazhdimisht moskandidimin e Sali Berishës në raport me interesat elektorale me Partinë Demokratike. Kjo ka të bëjë edhe me faktin se gjerësisht perceptohej një dualizëm në Partinë Demokratike. Protagonizmi i Sali Berishës merrte trajtat nga ana e perceptimit publik të një dualizmi në vendimmarrjen e Partisë Demokratike. Sigurisht, kam edhe unë përgjegjësitë e mia. Ai duhet të ishte larguar vetë, duhet të kishte lënë Partinë Demokratike, kryetarin e zgjedhur të hapnin rrugën e re që hap çdo parti e re në opozitë, por edhe unë kam përgjegjësitë e mia në lejimin e këtij dualizmi. Për vendimet që janë marrë mund t’ju them fare qartë dhe këto janë të arkivuara dhe mund të nxirren nga çdo arkivë mediatike që janë vendime të konsultuara me të gjitha forumet e Partisë Demokratike dhe në rastin e vendimeve që ju përmendët vendime të kërkuara me ngulm nga Sali Berisha”, tha ai.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




