Basha: Më 18 dhjetor nuk do t’i nënshtrohemi presionit

Politikë | 5 vite më parë

Sali Berisha është i përjashtuar përkohësisht nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, por Lulzim Basha paralajmëroi përjashtimin total të Sali Berishës nga Partia Demokratike. Vendimi mund të merret në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, që kreu i PD-së e ka thirrur më 18 dhjetor. Gjatë konferencës së mbajtur në përfundim të mbledhjes për organizimin e zgjedhjeve në FRPD, Basha tha se me veprimet e sotme, Berisha e kaloi cakun.

“Dënojmë aktet e një njeriu, marrëzia e të cilit nuk ka fund. Në këtë betejë me SHBA-në, PD theu për herë të parë standardin e vendosur dhe i kërkoj ndjesë shqiptarëve. U mjaftova me pezullimin e Berishës nga partia, e bëra në një moment paqartësie me veten time. Por, sot nuk ka demokrat që nuk është i qartë. Në kulmin e dëshpërimit, Berisha ndërmori një akt që u kujtoi shqiptarëve skena të harruara nga pjesa më e hidhur e trashëgimisë së tij personale, që fatkeqësisht na faturohet edhe neve. Asnjë demokrat, asnjë anëtar i Kuvendit Kombëtar që do të mblidhet në 18 dhjetor, nuk do t’i nënshtrohet presioneve”, tha ai.

Përjashtimi nga partia, sipas statutit të Partisë Demokratike, bëhet sipas parashikimeve të nenit 27. Në pikën një të tij thuhet se përjashtimi bëhet për “thyerje të disiplinës së brendshme, ndërmarrja e veprimeve në çdo formë, apo mënyrë që dëmtojnë interesat elektorale, apo politike dhe mosplotësimin e detyrimeve të anëtarësisë sjell sanksione dhe kufizime të të drejtave të anëtarit të PDSH-së”.

Organet që marrin këtë vendim janë kryesitë e degës dhe kryesia e partisë. Për Sali Berishën vendimi mund të merret nga kryesia e partisë para Kuvendit Kombëtar të 18 dhjetorit dhe më pas t’i shtrohet këtij Kuvendi për konfirmim. 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme