Basha: PD është angazhuar në shumë kauza, të cilat janë vërtetuar në fund!

Politikë | 5 vite më parë

Në një takim me demokratët e Kamzës kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim  Basha tha se Partia Demokratike është angazhuar në shumë kauza, të cilat janë vërtetuar në fund.  Ai theksoi se janë të angazhuar që të hetojnë edhe më tej aferën e inceneratorëve dhe të vendosin përpara drejtësisë përgjegjësit.

Basha tha se detyra e parë e çdo demokrati është të bëjë gjithçka që ka në dorë për ta larguar Edi Ramën dhe bandën e tij një orë e më parë. 

“Detyra numër një është ajo që i kemi vënë vetes që prej ditës së parë. Që prej asaj dite ku një pjesë jo e vogël e shqiptarëve kishin një fije besimi tek Edi Rama. Detyra e parë e çdo demokrati është të bëjë gjithçka që kemi në dorë për ta larguar Edi Ramën dhe bandën e tij një orë e më parë. Dhe për ta bërë këtë, kemi një sërë detyrash përpara të cilat do të kishin qenë të vështira në çdo rast. E në veçanti, do të kishin qenë të vështira duke pasur parasysh që nuk jemi në një gjendje normale, në një vend normal as me standardet e Ballkanit.
 
Ju e dini fare mirë që ne si demokratë në çdo betejë që kemi zhvilluar, në çdo arritje që kemi shënuar, kemi kërkuar dhe kemi marrë në masë të madhe mbështetjen e dy partnerëve strategjik pa të cilët ky vend zor do ta kishte të shkëputeshte qoftë dhe formalisht nga zgjedha e diktaturës komuniste dhe këto janë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Dhe me anë të këtyre aleatëve dhe këtij standardi, kemi arritur t’i largojmë jo pak por 300 zyrtarë, duke përfshirë deputet të Kuvendit e kryetar bashkish. Dekriminalizimi, e bënim dot pa atë? Faktor të rëndësishëm, partnerë, jo vetëm politikë, por edhe personal të Edi Ramës nga Tom Doshi tek Vangjush Dako.
Shikoni si ka shpërthyer ujërat e zeza të kësaj qeverie. Të gjithë kauzat tona janë vërtetuar. Drejtësia e tyre, është vërtetuar.
Sakrifica juaj për t’i dalë në ballë këtyre kauzave krah për krah njëri-tjetrit, në beteja pafund në këto vite, është vërtetuar. Ku e keni sot yllin në ngjitje Saimir Tahirin? Autorin e kriminalizimit të Policisë së Shtetit, të dhunës barbare të njerëzve të pafajshëm dhe të kanabizmit të Shqipërisë. Ku është? Tek 313-ta. Prit, se është vetëm fillimi. Ky tjetri që e ka mbiemrin Koka, por është bishti. Bishti i çfarë? I aferës më të madhe korruptive jo të Shqipërisë, po të Ballkanit në 30 vite”, tha Basha.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme