Basha takim me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi: Dialogu të sjellë njohje reciproke Kosovë-Serbi!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim këtë të premte në selinë blu me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi.
Pas takimit, Basha në një prononcim për mediat tha se Partia Demokratike i qëndron fuqishëm pozicionit se dialogu duhet të mbyllet me njohjen reciproke mes Serbisë dhe Kosovës.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha vuri theksin edhe tek lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe tek forcimi i institucioneve të pavarura.
“Natyrisht folëm për zhvillimet e fundit, në veçanti sa i takon zhvillimeve të dialogut midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku Partia Demokratike qëndron fuqimisht në të njëjtin pozicion sa i takon objektivit të këtij dialogu, që është njohja e ndërsjellët midis dy vendeve dhe në veçanti ndamë pikëpamjen se rikthimi i një koordinimi të fuqishëm midis Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është një parantezë, një shans i mirë për të shtyrë përpara këtë dialog dhe për të tejkaluar pengesat, ku sigurisht një barrë e madhe i përket Bashkimit Europian dhe 5 vendeve anëtare, njohja prej të cilave e realitetit të Republikës së Kosovës, do të shmang përfundimisht çdo skenar nga ato që shohim, që aviten aktualisht në Bosnje Hercegovinë dhe që i kërcënojnë jo thjesht arkitekturën e paqes dhe të stabilitetit në Ballkan, por vet paqen dhe stabilitetin Europian. Ndamë po kështu mendimet tona sa i takon domosdoshmërisë së forcimit të luftës kundër korrupsionit, institucioneve të pavarura dhe të gjitha këto në funksion të mirëqenies së qytetarëve, sepse armiku kryesor i mirëqenies së qytetarëve si në Shqipëri, si në Kosovë, janë dhe mbeten institucionet e dobëta dhe korrupsioni.”, -tha ndër të tjera Basha.
Nga ana tjetër, Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi deklaroi se Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë që të intensifikojnë bashkëpunimin dhe të rrisin koordinimin institucional.
Krasniqi tha se i ka uruar Bashës suksese në zgjedhje e pjesshme vendore që pritet të mbahen me 6 mars, duke theksuar rëndësinë e një procesi të rregullt zgjedhor.
“Kosova dhe Shqipëria padyshim kanë shumë sfera të cilat kanë nevojë që të intensifikojnë bashkëpunimin që të rrisin edhe koordinimin institucional dhe gjithmonë ka qenë dhe është një shembull i mirë që pavarësisht se a jemi në qeveri apo në opozitë në vendet tona ne bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri dhe Shqipëri-Kosovë e kemi të padiskutueshëm edhe prioritet të prioriteteve. Gjithsesi e falenderova zotin Basha për gatishmërinë e tij për të thelluar bashkëpunimin, por edhe koordinimin ndërmjet dy partive tona dhe në këtë kuadër ne do të vazhdojmë edhe takimet, por edhe ato bashkëpunime brenda forumeve të ndryshme. I urova sukses në procesin zgjedhor që do ta keni tani së voni duke uruar mbi të gjitha një proces të rregullt të pranueshëm prej të gjithëve që vërtetë e merr dhe e vendos në ballë vullnetin e qytetarëve.” –tha Krasniqi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




