Bashkëpunëtorë të ish-sigurimit/ Çollaku letër Autoritetit të Dosjeve, kërkon informacion për deputetët e zgjedhur që nga 1991

Deputeti i Partisë Demokratike Kreshnik Çollaku i ka kërkuar informacion Autoritetit të Dosjeve lidhur me deputetët e Kuvendit që kanë qenë të zgjedhur në legjislaturat parlamentar nga viti 1991 e deri më sot, nëse kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit.
“Me propozim të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 72/2022 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, i ndryshuar”.
Në përmbajtje të këtij ligji, është parashikuar që në nenin 20, pas pikës 1, të shohet pika 1.1 me përmbajtje si më poshtë:
1.1 Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit, me kusht që kërkuesi të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve. Informacioni jepet vetëm kur angazhimi është i nevojshëm për gjetjen dhe vënien në dispozicion të informacionit është në përpjestim të drejtë me interesin e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni. Kërkuesi mban përgjegjësi për keqpërdorim të informacionit të marrë.
Ndërsa, në nenin 44, është parashikuar shtimi i pikave 4 dhe 5 me përmbajtje si më poshtë:
- Të deklasifikohen të gjitha dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë të parashikuara në këtë ligj për periudhën 29 nëntor 1944 deri ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë.
- Autoriteti përgjegjës për grumbullimin dhe administrimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, kur gjatë punës ndeshet me dokumente që përmbajnë informacione që lidhen me cënimin e sigurisë kombëtare, i klasifikon ato sipas legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar.
Pikërisht, në zbatim të dispozitave të sipërcituara, si dhe në mbështetje të neneve 8 dhe 10 të ligjit nr. 8550, datë 18.11.1999 “Statusi i Deputetit”, kërkoj nga ana juaj vënien në dispozicion të një kopje të plotë të dokumenteve dhe informacioneve që dispononi lidhur me të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, që kanë qenë të zgjedhur në legjislaturat parlamentare për periudhën 1991 – 2023”, thuhet në kërkesën e deputetit demokrat.


/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




