“Bashkitë me mundësi të kufizuara”, Haxhimali: Përmbytjet kërkojnë rimodelim të gjithë sistemit inxhinierik
Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të vendit, duke sjellë dëme të mëdha për familjet dhe ekonominë.
Në lidhje me këtë situatë, Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Bashkitë, Agron Haxhimali, i ftuar në studion e RTSH-24, ka analizuar kapacitetet e bashkive dhe reagimin e institucioneve në raste emergjencash, duke theksuar se problemi është i thellë dhe sistemik.
“Mundësitë e bashkive janë të kufizuara dhe ne nuk kemi mundësi të pakufizuara. Dihet fare qartë se kemi sasi reshjesh të shiut në mënyrë të çrregullt dhe bien në çdo stinë. Ne kemi pasur përmbytje në pranverë, verë, vjeshtë dhe dimër, por ta fillosh vitin 2026 me këtë situatë kritike është keqardhje e madhe për familjet, aspektin social, dëmin ekonomik dhe institucionet, e cila rëndon çdo gjë në ekonominë e qytetarëve shqiptarë,” u shpreh Haxhimali.
Sipas tij, reagimi vetëm në momentin e ngjarjes nuk është i mjaftueshëm.
“Institucionet duhet të reagojnë dhe të marrin masat më herët, për të shmangur pasojat e përmbytjeve. Ata që duhet të kontrollojnë situatën dhe të monitorojnë basenet apo hidrovoret, duken neglizhentë dhe apatik përsa i përket masave paraprake. IGJEUM duhet të jetë pararojë, të bëjë njoftimet për situatën dhe të shikohet mundësia e rikuperimit sa më shpejt nga punonjësit e institucioneve,” theksoi ai.
Eksperti e konsideron këtë fenomen si problem sistemik, që çalon në tre drejtime kryesore.
“Pas gjithë këtyre viteve në demokraci, nuk i është kushtuar vëmendja e duhur politikave të planifikimit, kontrollit të territorit, urbanizimit të qyteteve dhe master-planeve për zhvillimet urbane. Ne vazhdojmë të ndërtojmë qytetet me stilin e vjetër, pa marrë parasysh densitetin, betonizimin dhe ndryshimet klimatike.”
Nevoja për projekte inxhinierike: “Ky sistem duhet rimodeluar, jo thjesht me urdhra politikë, fasada apo xhama, por me projekte të thella inxhinierike.”
Duke folur për shkaqet e situatës dramatike, Haxhimali shtoi se “Situata e tepërt e reshjeve, amortizimi dhe mbetjet e ngrurta në tubacione të papastruara e kanë bërë këtë situatë dramatike. Përsëritja e shpeshtë e përmbytjeve tregon se problemet lidhen me keqmenaxhimin, mosmarrjen e masave dhe kulturën tonë ndaj urbanizimit. Jemi apatik dhe nuk marrim masa gjatë gjithë vitit.”
Haxhimali apeloi që çdo institucion të marrë përgjegjësi administrative:
“Duhet të dalin përgjegjësit, jo për të pasur dënime, por për të korrektuar veten dhe për të rimodeluar sistemin tonë të mbrojtjes ndaj fenomeneve natyrore. Nuk kemi vetëm probleme me përmbytjet, por edhe me zjarret.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



