BBC: Trupat ruse po sabotojnë tanket për të mos luftuar, ukrainasit u ofrojnë ushqim

Ndërsa presidenti Vladimir Putin, vijon retorikën për vazhdimin e sulmeve për pushtimin e Ukrainës, jo vetëm në Evropë, por edhe në Rusi kanë shpërthyer protesta të dhunshme, për të kundërshtuar këtë nismë. Edhe vetë ushtarët rusë duket se nuk e mbështesin Presidentin e tyre.
BBC raporton se ushtarët rusë, të pushtuar nga një moral i ulët, kanë filluar të dorëzohen, në disa raste duke sabotuar edhe mjetet e tyre luftarake. Ata po dëmtojnë tanket duke zbrazur karburantin, në mënyrë që të mos luftojnë. Disa prej tyre shprehen se në ditët e para të luftimeve u ishte thënë se do kryenin vetëm stërvitje, duke mos u lajmëruar se do shkonin në luftë.

Dorëzimi i ushtarëve duket se është pritur mirë nga ukrainasit. Së fundmi, në rrjetet sociale, është publikuar një video, ku duket një ushtar rus, i cili është dorëzuar dhe pranë tij ndodhen qytetarë ukrainas që i ofrojnë çaj të ngrohtë dhe ushqim. Ai po ashtu shihet teksa komunikon me nënën e tij, të cilës mes lotësh i thotë “jam gjallë”. Luftimet në Ukrainë kanë hyrë në ditën e 7-të, teksa numri i viktimave civile sa vjen e shtohet. Po ashtu dhe numri i ushtarëve të vrarë nga të dyja palët është i lartë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




