BE do të ndajë 54 milionë dollarë ndihmë humanitare për Ukrainën

Bashkimi Evropian do të ndajë një ndihmë humanitare prej 50 milionë eurosh (54 milionë dollarë) për të mbështetur ata që janë prekur nga pushtimi rus në Ukrainë, tha të dielën Komisioni Evropian, raporton CNN.
Paketa përfshin 45 milionë euro (48.6 milionë dollarë) për projektet humanitare në Ukrainë dhe 5 milionë euro (5.4 milionë dollarë) për Moldavinë fqinje. Asnjë vend nuk është anëtar i BE-së.
Sipas deklaratës nga Komisioni Evropian, fondet do të përdoren për të “adresuar nevojat më urgjente humanitare duke ofruar shërbime mjekësore emergjente, akses në ujë të pijshëm dhe higjienë të sigurt, strehim dhe mbrojtje, ndihmë në para dhe mbështetje kundër dhunës me bazë gjinore”.
“Me miliona njerëz në lëvizje ose të bllokuar në zonat aktive të luftës, nevojat në Ukrainë janë tashmë masive. Tani, ne duhet të jemi të përgatitur për një rritje të mëtejshme të sulmeve të pamëshirshme të Rusisë ndaj Ukrainës, veçanërisht në lindje.
Paratë do të ndihmojnë njerëzit në zonat e vështira për t’u arritur, të cilëve u është ndërprerë qasja në kujdesin shëndetësor, uji dhe rryma, dhe ata që janë detyruar të ikin dhe të lënë gjithçka pas. Ukrainë, ne jemi me ju”, tha komisioneri i BE-së për menaxhimin e krizave, Janez Lenarçiç.
BE deri më tani ka vënë 143 milionë euro (154.6 milionë dollarë) për ndihmën humanitare në Ukrainë.
Ky financim është pjesë e paketës së mbështetjes prej 1 miliard € (1.08 miliardë dollarë) e premtuar nga Komisioni Evropian në fillim të këtij muaji.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




