BE e kritikon, Rama s’tërhiqet nga amnistia fiskale: Emigrantët që punojnë ditë e natë s’janë kriminelë

Qeveria nuk tërhiqet nga amnistia fiskale, edhe pse kjo është kritikuar nga BE duke shprehur shqetësimin për draftin aktual. Kryeministri Edi Rama tha se emigrantët që rropaten rrugëve të Europës nuk mund të cilësohen si kriminelë dhe se qeveria nuk mund t’i thotë shqiptarëve se s’mund të formalizojnë të ardhurat e tyre.
“Ju nuk bëni dot amnisti fiskale se është për krimin? Po pse? Ata shqiptarë që janë jashtë, kriminelë janë? Sa kohë kanë punuar ata në të zeze, nëpër mandarinat dhe pjeshkë e grekëve? Sa kohë kanë mbledhur ata para, duke fjetur në penë. Kam takuar nga ata që kanë fjetur në pemë. Ku i kanë çuar ato para? Një pjesë të madhe të parave i kanë kursyer këtu dhe një pjesë andej. Po ku i bënë këta që na tregojnë ne se u bënë qibar i bardh, kush e shpiku punën e zezë? Punën e tyre të zezë s’mund ta legalizojnë. Do ju nxihet jeta sa herë që duan të blejnë një shtëpi këtu apo të bëjnë një biznes, se ju shkon prokurori dhe i pyet; ku i gjete lekët? Paratë do i sjellin këtu se janë shqiptarë. Nëse këtë do ta kishim shpikur ne, atëherë dakord. Këtë e bën Italia rregullisht. Të gjithë ato vendet e Europës, e bëjnë shtete të Amerikës. Pse mos ta bëjmë ne? Ne do bëjmë draftin, do kërkojmë vota. Shpresoj që të ketë njerëz normal që ta pranojnë këtë. Amnistia është për të gjithë, as për demokratët dhe socialistët. Do të bëhet për të sjellë më shumë para shqiptarët këtu për të bërë ça të duan me ato para legale, në pronën e tyre, në vendin e tyre”, tha Rama.
Kujtojmë se Komisioni Europian ka paralajmëruar se drafti për amnistinë fiskale do të dobësojë kontrollin kundër pastrimit të parave si dhe përbën një rrezik thelbësor për reputacionin e vendit. Po ashtu rezerva ka shprehur edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



