BE hoqi vizat për serbët e Kosovës, Kurti e quan vendimin të padrejtë

Vendimi i Këshillit të Bashkimit Europian për të hequr regjimin e vizave për qytetarët serbë të Kosovës do ta pengojë integrimin e tyre, u shpreh kryeministri Albin Kurti.
Deklarata u bë të martën një ditë pasi ministrat e Jashtëm të BE-së vendosën që edhe serbët me pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë të përfitojnë nga lëvizja e lirë në zonën Shengen, një e drejtë që qytetarët e tjerë të Kosovës e gëzojnë prej 1 janarit 2024.
Drejtoria Koordinuese varet nga Ministria e Brendshme e Serbisë dhe pasaportat e lëshuara prej saj nuk njihen nga Prishtina zyrtare.
“E konsiderojmë të padrejtë, të dëmshme dhe gjithashtu dekurajuese për integrimin e serbëve. Sidoqoftë shteti i Kosovës, Republika jonë demokratike dhe e pavarur, e ka forcuar pasaportën e saj si asnjëherë më parë. Ndërkaq ne nuk kemi mundësi të mëdha që të ndikojmë te vendimet e Brukselit,” u shpreh z. Kurti për gazetarët gjatë përurimit të ambienteve të reja të Klinikës së Kardiokirurgjisë në kryekomunën e vendit.
Qytetarët serbë me pasaporta të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë udhëtojnë pa viza prej dhjetorit 2009.
Deri në 31 dhjetor 2023, 6.310 persona gjithsej me shtetësi serbe, sipas Policisë së Kosovës, aplikuan për një pasaportë kosovare.
Edhe pse nuk raportohen shifrat e sakta, personat që mbanin pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese arrinin në 76.807 në vitin 2016.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




