“BE na nxë të gjithëve”, kryeministri Sanchez për Kosovën: Mendojmë se është shkelur e drejta ndërkombëtare

Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez gjatë konferencës së përbashkët me Edi Ramën teksa mbështeti integrimin e Shqipërisë, u shpreh se nuk mund të kuptohet BE pa Ballkanin. Sipas tij, BE nuk është thjesht një klub vendesh por një komunitet vlerash dhe parimesh.
Sakaq, Sanchez u ndal dhe te agresioni rus në Ukrainë që sipas tij ka shkaktuar pasiguri për vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike.
“Uroj që rruga e Shqipërisë drejt BE të jetë e suksesshme. Nuk mund të kuptohet BE pa Ballkanin. Mendoj që është një ide pozitive që përveç proceseve të aderimit është e mirë ideja e krijimit të këtij komuniteti evropian sepse kështu do kemi mundësi të vendosim këtë marrëdhënie në një nivel politik. Ne e shohim me interes këtë dinamikë pozitive që gjenerohet mes vendeve që duan të hyjnë në BE dhe janë tashmë në BE. Bashkimi nuk është thjesht një klub vendesh, por është një komunitet vlerash dhe parimesh. Në të na nxë të gjithëve të futemi. Ne kemi nevojë të zbatojmë rregulla të përbashkëta për të arritur këto qëllime.
Agresioni në Ukrainë ka prekur shumë gjëra, ka shkaktuar vuajtje për njerëzit dhe pasiguri se si do të vazhdohet me furnizimin me energji elektrike. është e rëndësishme që vendet evropiane të jenë të bashkuara, të vendosur në mbrojtjen e vlerave tona dhe integritetit territorial. Sanksionet nuk kanë qëllim të dëmtojnë popullin rus, por të kthejnë rrugën e luftës. Ne përkrahim integrimin e gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe Shqipëria është një nga vendet kryesore në këtë rrugë. Ne urojmë që të vazhdoni në këtë rrugë, në këtë luftë për të mbaruar të gjitha reformat të cilat do t’ju bashkojnë me BE dhe do përmirësojnë jetën tuaj”, tha Sanchez.
Më tej kryeministri Sanchez shprehu qëndrimin e pandryshuar të Spanjës për mos njohjen e Kosovës duke thënë se është shkelur e drejta ndërkombëtare.
“Mendojmë që është shkelur e drejta ndërkombëtare prandaj nuk mund të jemi në favor të këtij pranimi, dhe këtë e themi me gjithë respektin për popullin shqiptar. Është një opinion që nuk e ndajmë me qeverinë shqiptare. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk e nxisim dialogun me Prishtinën për t’u afruar me BE-në. Ky është pozicioni i qeverisë së Spanjës. Edhe miqtë e mirë mund të kenë kontradikta”, deklaroi Sanchez.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




