Begaj dekreton ndryshimet në Kodin Zgjedhor: Vota e diasporës, historike

Politikë | 2 vite më parë

Presidenti i Republikës dekretoi të martën shtesat dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Ligji nr. 10019 mori mbështetje të gjerë parlamentare si fryt i diskutimeve dhe i marrëveshjes pozitë-opozitë për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat kishin shfuqizuar disa dispozita të Kodit Zgjedhor.

“Ndër të tjera, ky ligj vendos kornizën për votimin nga jashtë vendit, i cili përbën një zhvillim historik për zgjedhjet në Shqipëri. Presidenti i Republikës mbështet dhe nxit institucionet e ngarkuara që të caktojnë prioritet absolut masat dhe përgatitjet për të implementuar votën nga jashtë vendit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe për ta shndërruar këtë procedurë në një histori të plotë suksesi,” njoftoi Presidenca.

Përmbajtja e dispozitave të veçanta të këtij ligji, siç është mekanizmi i herësit, krijoi debat mes palëve politike, por sipas kreut të shtetit, “kritikat ndaj mekanizimit ligjor të votimit parapëlqyes nisen nga qëllimi legjitim për të demokratizuar më shumë këtë mekanizëm”.

“Gjykata Kushtetuese ka konsideruar kufizim disproporcional vendosjen e mekanizmit të herësit në përmasën që kishte ligji i vitit 2020. Ndryshimet e reja e kanë hequr mekanizimin e herësit dhe kanë pranuar ndarjen sasiore që vendos dispozita e Kushtetutës, sipas së cilës “ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumëemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor”. Mbajtja e raportit në kufirin e sipërm të kësaj dispozite nuk lë vend për të debatuar kushtetutshmërinë e një kriteri që është vendosur nga vetë Kushtetuta.

Nëse votimi parapëlqyes duhet të ndjekë këtë raport, apo duhet të jetë më i zbutur, brenda marzhit që lejon Kushtetuta, kjo është çështje vizionesh dhe kompromisesh politike e ligjore, për të cilat Presidenti i Republikës nuk ka tagër dhe nuk mund të mbajë qëndrim, përndryshe do të vepronte në kundërshtim me parimin e ndarjes së pushteteve,” thuhet në njoftimin për shtyp të presidentit Begaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme