Begaj ktheu në Kuvend ligjin “Për dekoratat”, Zhupa: Hap pozitiv, cënon Kushtetutën, uzurpon kompetencat e Presidentit

Kthimi për rishqyrtim në Kuvend i ligjit “Për dekoratat”, nga Presidenti Bajram Begaj, është përshëndetur nga deputetja e PD-së, Ina Zhupa. Nëpërmjet një postimi në rrjetin e saj social “Facebook”, Zhupa shkruan se ligji i miratuar jo vetëm se cënon kompetencat e kreut të shtetit, por ka si qëllim, që, kryeministri Rama, të kapë çdo institucion.
“Përshëndes vendimin e Presidentit Begaj për të mos dekretuar ligjin e dekoratave, si cënim i Kushtetutës dhe uzurpim i kompetencave të tij kushtetuese. Në seancën e 22 dhjetor 2022 i bëra thirrje publike Presidentit Begaj që të respektonte Kushtetutën, të respektonte institucionin që përfaqëson dhe ta kthente ligjin. Ligji nuk është gjë tjetër veçse zgjatim i dëshirave të Edi Ramës për të kapur çdo institucion dhe për të përdorur dekoratat si gjetje marketingu për interesat e tij elektorale. Në një vend ku shkollat emërtohen me emra njerëzish që nuk përfaqësojnë asgjë për shoqërinë, veçse i kanë shërbyer Ramës, ku në kuadër të fushatës elektorale kryebashkiakët socialistë shpikin certifikata e dekorata për PR, ky ishte hapi i radhës për t’a glorifikuar qeverisjen e Ramës dhe për të dhënë vlerësim për idhtarëve të tij”,- shkruan Zhupa.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




