Begaj pret delegacionin nga Presheva: Bashkëpunimi i faktorit politik solli një regjistrim më të saktë të shqiptarëve që jetojnë në Serbi

Politikë | 4 vite më parë

Presidenti Bajram Begaj ka pritur në takim një delegacion nga Lugina e Preshevës, ku në fokus të bisedave kanë qenë të drejtat e shqiptarëve në Serbi, regjistrimi i tyre gjatë censusit në Serbi por edhe marrëdhëniet politike në tërësi në rajon.

Begaj shprehur kënaqësinë që një numër i madh shqiptarësh nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegjeva janë bërë pjesë e regjistrimit të popullsisë në Serbi, ndërsa vlerësoi seriozitetin dhe pjekurinë partitë politike shqiptare të këtyre komunave bashkëpunuan duke sjellë një regjistrim më të saktë e më të drejtë të shqiptarëve që jetojnë në këtë rajon të Serbisë.

“Kjo i shërben statusit të shqiptarëve në këto komuna dhe i faktorizon ata edhe më shumë në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të tyre në Serbi, të cilat duhet të jenë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira evropiane”, tha Begaj.

Lidhur me diskutimin e bashkëpunimit rajonal, Begaj siguroi delegacionin se shqiptarët e Luginës së Preshevës do të gjenin gjithmonë një mbështetje të fortë të institucioneve shqiptare për realizimin e plotë të të drejtave të tyre.

Regjistrimi i popullsisë është veçanërisht i rëndësishëm për pjesëtarët e bashkësive etnike, pasi shërben si kornizë për përcaktimin e fushës së të drejtave që ata kanë. Sipas vlerësimeve të bashkësisë ndërkombëtare, në Serbi jetojnë rreth 60 mijë pjesëtarë të pakicës kombëtare shqiptare, kryesisht në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në jug të Serbisë. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme