Begaj pret kryeparlamentarin e RMV-së: Shqipëria, e gatshme të intensifikojë bashkëpunimin mes vendeve

Politikë | 2 vite më parë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Sh. T. Z. Afrim Gashi, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë.

Gjatë bisedës u diskutua për forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve, si dhe për intensifikimin e bashkëpunimit politik, ekonomik, social dhe kulturor.

Kreu i Shtetit vlerësoi rëndësinë e rolit të faktorit shqiptar si “faktor shtetformues, paqedashës dhe i vendosur për integrimin Euroatlantik” për stabilitetin e Maqedonisë së Veriut, i cili shërben edhe si urë lidhëse mes dy vendeve tona. Shqiptarët kanë një rol të veçantë edhe për zhvillimin e qëndrueshëm në rajon.

Kreu i Shtetit vlerësoi si shumë të rëndësishme dhe me një rol prioritar për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut ligjin për gjuhën dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në administratë.

“Shqipëria është e gatshme të intensifikojmë bashkëpunimin mes dy vendeve për avancimin e gjithanshëm të marrëdhënieve, si dhe kontekstin evropianizues të zhvillimeve në mbarë rajonin”, – theksoi Presidenti Begaj, duke garantuar një klimë miqësore dhe konstruktive, një model i fqinjësisë së mirë në rajon.

Në lidhje me marrëdhëniet ekonomike u theksua rëndësia e vazhdimit të projekteve të nisura, ndër më të rëndësishmit, Korridori VIII, i cili, sipas Presidentit të Republikës, është shumë më tepër se një projekt i thjeshtë infrastrukturor. “Korridori VIII, – u shpreh Presidenti Begaj – është një projekt strategjik në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.”

Presidenti Begaj theksoi se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në fushën e integrimit evropian është një proces i rëndësishëm, pavarësisht veçimit të dy vendeve në këtë rrugëtim, për të cilin shprehu bindjen se do të takohen sërish.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme