Begaj pret në takim ministren e Drejtësisë së Kosovës: Të avancojmë me projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë

Politikë | 2 vite më parë

Presidenti  Bajram Begaj priti sot në një takim Ministren e Drejtësisë së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu. 

Presidenti Begaj përshëndeti nismat dhe reformat e reja të ndërmarra nga qeveria e Kosovës, veçanërisht në fushën e drejtësisë si dhe përkushtimin për përputhshmërinë me politikat Euroatlantike.

“Është një proces i gjatë dhe aspak i lehtë”, – u shpreh Presidenti i Republikës, duke theksuar se “kryerja e reformave në interes të qytetarëve përmbush ëndrrën tonë si komb, atë të integrimit në Bashkimin Evropian”.

Në takim u theksua bashkëpunimi i shkëlqyer mes institucioneve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës.

Presidenti Begaj shprehu rëndësinë e avancimit të këtij bashkëpunimi në projektet strategjike të Portit të Durrësit, Portit të Thatë të Prishtinës dhe lidhjen e tyre me hekurudhën Durrës- Prishtinë që do të na ndërlidhin më shumë.

Kreu i Shtetit nënvizoi se bashkëpunimi mes shqiptarëve ka një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën Euroatlantike të dy vendeve dhe gjithë rajonit si qëllim strategjik.    

Presidenti i Shqipërisë rikonfirmoi angazhimin për rritjen e numrit të njohjeve të reja dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, teksa shtoi se është i rëndësishëm hartimi i strategjive të përbashkëta për të prezantuar reformat e ndërmarra dhe progresin e synuar.

“Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë aty për Kosovën”, – u shpreh Presidenti Begaj, i cili theksoi se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, pavarësisht çdo tentative dashakeqe që është e destinuar të dështojë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme